Rruga e secilit vend të Ballkanit drejt anëtarësimit në BE – Kosova e fundit

Strategjia e Zgjerimit të BE-së që u bë publike nga Federica Mogherini dhe Johanes Hahn ka treguar se shteti i Kosovës, do të ketë shumë vështirësi deri në anëtarësimin e plotë në BE.

Lajme

06/02/2018 17:25

Por problem të tilla nuk ka pasur për Serbinë dhe Malin e Zi.

Madje perspektivë evropiane në dokumentin e publikuar po dalin të kenë edhe Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Shtetet e para të Ballkanit që mund të bëhen pjesë e BE-së:

Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet e vetme që kanë marrë periudhë të saktë nga BE-ja për anëtarësim në këtë institucion. Sipas strategjisë, këto dy vende do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian më së largu në vitin 2025.

“Negociatat e pranimit janë duke u zhvilluar mjaft mirë me Malin e ZI dhe Serbinë. Me vullnet të fortë politik dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët, dy shtetet mund të jenë gati për anëtarësim në vitin 2025. Perspektivë kjo jashtëzakonisht ambicioze”, thuhet në strategji, transmeton lajmi.net

Për Serbinë edhe një herë është ritheksuar si kusht kryesor normalizimi i raporteve me Kosovën. “Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme është urgjente, dhe pa të cilën Kosova dhe Serbia nuk do të kishin perspektivë evropiane”, theksohet në strategji.

Kandidatët potencial për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE:

Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja Hercegovina po vlerësohen nga Bashkimi Evropian si kandidatët e mundshëm për anëtarësim në këtë institucion pas Serbisë dhe Malit të Zi.

Në raportin e BE-së thuhet se këto shtete duhet të vazhdojnë të punojnë në agjendën evropiane, duke zbatuar disa nga kriteret që BE-ja i ka përcaktuar.

“Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimet për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë, Ish republikën Jugosllave të Maqedonisë. Me përpjekje dhe angazhim të qëndrueshëm, edhe Bosnja e Hercegovina mund të bëhet një kandidat për anëtarësim”, thuhet tutje në raport.

Por theksohet se të gjitha shtetet që e synojnë BE-në duhet të vazhdojnë të zbatojnë politikat që përcaktuara nga kjo organizatë.

Kosova e fundit:

Ashtu siç edhe tashmë po dihet, shteti i Kosovës ka mbetur i fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në draft-strategjinë e publikuar nga BE-ja, Kosova përmendet pak herë.

Bashkimi Evropian, shtetit të Kosovës i jep një rëndësi të madhe sidomos në raport me Serbinë, dhe përmirësimin e raportve ndërmjet dy vendeve me dialog.

“Kosova* ka një mundësi për një progress të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për të përparuar në rrugën e saj evropiane, nëse e lejojnë rrethanat objective. Kosova gjithashtu do të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme nga një normalizim defnitivi me Serbinë”, thuhet në raportin e plot të BE-së.

“Pa normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të raporteve Beograd-Prishtinës përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Marrëveshje e detyrueshme është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbisë dhe Kosova të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, bën të ditur Strategjia.

Por, për të gjitha këto shtete që synojnë të bëhen anëtare të BE-së, kjo e fundit ka përcaktuar edhe disa kritere ku duhet të jetë fokusi për punë, në mënyrë që negociatat për anëtarësim të jenë më të avancuara.

Këto janë kriteret: Siguria dhe migracioni, zhvillimi socio-ekonomik, lidhjet e transportit dhe energjisë, agjenda digjitale dhe pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Krejt në fund të Strategjisë është theksuar nga BE-ja se shtetet nuk mund ta bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën euro-atlantike. /Lajmi.net/

kosovae