Rruga Deçan- Plavë, Apostolova apelon të respektohet Ligji për Zonën e Mbrojtur

Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka mbështetur ndërprerjen e punimeve në rrugën Deçan-Plavë, pas ankesës së Kishës Ortodokse Serbe në këtë pjesë.

Lajme

27/05/2018 11:46

“Është shumë e rëndësishme që Ligji për Zonën e Mbrojtur të Manastirit të Deçanit të respektohet në mënyrë strikte dhe çdo veprim i mundshëm të aprovohet nga Këshilli Implementues dhe Monitorues”, ka shkruar ajo në “Twitter”.

Ndërprerjen e punimeve në rrugë e ka mbështetur edhe ambasadori i ShBA, Greg Delawie.

Dje Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit kishin lëshuar një komunikatë për media, përmes së cilës kanë thënë se i kanë njoftuar përfaqësuesit e BE-së, OSBE-së dhe KFOR-it se: “Qeveria e Kosovës ilegalisht ka nisur ndërtimin e rrugëve në rrugën transitore Deçan-Plavë brenda zonës speciale të mbrojtur përreth Manastirit të Deçanit”.