Rrjeti i sulmit me bombë në Mançester – potencialisht ende në liri

Anëtarët e rrjetit të sulmuesit vetëvrasës me bombë në Mançester, Salman Abedi, mund të jenë ende në liri, ka thënë sekretarja e brendshme britanike, Amber Rudd, derisa niveli i kërcënimit për terrorizëm në këtë vend është ulur, për shkak të progresit të rëndësishëm në hetime.

Bota

28/05/2017 15:27

Policia thotë se afro një mijë njerëz po punojnë në hetime, në përpjekje për ta gjurmuar grupin e ndihmësve të Abedit dhe për ta krijuar pamjen e lëvizjeve të tij disa ditë para sulmit të 22 majit, nga i cili janë vrarë 22 vetë.

Autoritetet thonë se e kanë arrestuar një pjesë të madhe të rrjetit që ka dorë në sulm, por policia vazhdon ta ngushtoj rrethin ndaj këtij grupi.

E pyetur sot nga rrjeti BBC nëse ndonjë anëtar i grupit është ende në liri, zonja Rudd tha “potencialisht…është një operacion që po vazhdon”.

Policia thotë se 11 vetë janë në paraburgim, përfshirë edhe vëllaun e madh të Abetit, me emrin Ismail.