Rritje artificiale e votuesve serbë

Vetëvendosje thotë se listat e votuesve të serbëve po falsifikohen në Serbi. Adnan Rrustemi thotë se Serbia po përpiqet të rrisë artificialisht numrin e votuesve, me qëllim të ndryshimit të karakterit demografik të Kosovës.

Lajme

23/09/2013 17:34

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të refuzojë të gjitha aplikacionet e ardhura nga Serbia pas datës 17 shtator, pasi që kjo, sipas kësaj Lëvizjeje, po ndodh në kundërshtim me ligjin dhe me afatet e përcaktuara për regjsitrim.

Në një konferencë për media, Anëtari i KQZ’së nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, deklaroi se Serbia po përpiqet të rrisë artificialisht numrin e votuesve serbë, me qëllim të ndryshimit të karakterit demografik të Kosovës.

“Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellë rreth 40 mijë aplikacione nga Serbia, për regjistrimin e serbëve si votues për zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë. Gjithçka në këtë proces ka ndodhur dhe po ndodh në kundërshtim me ligjin mbi zgjedhjet”.

“Serbia po përpiqet që të rrisë artificialisht numrin e votuesve, me synimin për të ndryshuar karakterin demografik të Republikës së Kosovës, veçanërisht të Komunave në veri të Republikës së Kosovës”.

“OSBE ka filluar grumbullimin e aplikacioneve në Serbi dhe Mal të zi pa autorizime dhe pa marrëveshje me KQZ’në, ndërsa i ka sjellë dhe po vazhdon t’i sjellë në KQZ edhe përkundër vendimit të KQZ’së për refuzimin e kërkesës së OSBE’së për këtë operacion”.