Rritja ekonomike, Europa lë pas ekspansionin amerikan

Rritja ekonomike europiane ka lënë pas atë të SHBA’së, duke regjistruar tregues më të mirë për vitin që lamë pas. Por pavarësisht përmirësimit, gjërat për kontinentin e vjetër nuk janë ende në vijë.

Bota

30/01/2018 20:07

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një rritje të ekonomisë në vitet e fundit, por ekonomia europiane po rritet edhe më shpejt. Kështu shkruan CNN në edicionin online, ku thuhet se rritja në 19 vendet që përdorin monedhën e përbashkët ishte 2.5 për qind në vitin 2017.

Në të njëjtën kuotë ka qenë edhe rritja në tërësi e bllokut me 28 anëtarë. Bëhet fjalë për periudhën më të mirë për të dyja grupet që prej vitit 2007, që e vë Europën 2.3 pikë përqindjeje përpara ekspansionit të arritur nga Shtetet e Bashkuara në 2017.

Europa, që ka përjetuar vite të tëra rritjeje anemike për shkak të krizave të borxhit, është pjesë e një rilindjeje ekonomike globale që mund të vazhdojë edhe në 2018. Për Jacob Deppe, shef i një agjencie të këmbimit online, çdo gjë që mund të bëjë ekonomia amerikane mund ta bëjë edhe ajo europiane, e madje edhe më mirë.

“Me të dyja ekonomitë që po rriten në varg dhe me ekonomitë aziatike në të njëjtën linjë, shpresat janë që 2018 të ketë të njëjtin ritëm, në mënyrë që të rrisë besimin dhe stabilitetin ekonomik për herë të parë në një dekadë”, ka thënë Deppe.

Përmirësimi ekonomik i kontinentit të vjetër bëri që euro të rritet në 1.25 dollarë amerikanë këtë muaj, një rritje me 21 për qind nga kuota prej 1.03 dollarë e regjistruar në fillim të vitit që lamë pas.

Sidoqoftë, edhe për Europën gjërat nuk janë perfekte.

Papunësia po bie, por mbetet e lartë mes punonjësve në moshë të re, duke mbajtur peng avancimin e disa vendeve.

Gjithashtu, integrimi i emigrantëve përbën një sfidë sa ekonomike edhe politike, pa harruar plakjen e popullsisë dhe problemet me sistemet shëndetësore dhe pensionet.