Rritja e pagave nuk është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2015

Rritja e pagave edhe për 25 për qind nga janari i vitit 2015 është mision i pamundur për Qeverinë e Kosovës. 

Lajme

03/11/2014 08:13

Një rritje e tillë nuk është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2015, vetëm se e ka përmendur kryeministri Hashim Thaçi, por jo edhe ministri i Financave, Besim Beqaj me rastin e prezantimit të projektbuxhetit, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo rritje nëse ndodh do të bëjë që pjesa më e madhe e buxhetit të orientohet vetëm në paga, që do ta bënte një buxhet edhe më jozhvillimor.

Ekspertët thonë se kjo rritje për shumë arsye është e pamundur, dhe se është përmendur vetëm sa për efekt elektoral, pasi kryeministri po i mendon edhe zgjedhjet.

“Në një situatë hipotetike, në rast se kryeministri aktual vazhdon ta udhëheqë qeverinë e re, vendimi për rritjen e pagave edhe për 25% më 2015 është i pamundur, ngase kërkohen edhe 137 milionë euro shtesë, të cilat nuk janë planifikuar në Projektbuxhetin 2015 dhe nuk mund të reduktohen nga kategoritë e tjera ekonomike”, ka thënë drejtori i Institutit GAP, Agron Demi.

E këto mjete shtesë do të mund të merrnin vetëm duke i shkurtuar investimet kapitale, që do të ndikonte direkt në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Një vendim i tillë do të merret, por investimet kapitale duhet të shkurtohen për 25% ngase është e vetmja kategori buxhetore të cilën qeveria e ardhshme mund ta shkurtojë, duke marrë parasysh se më 2014 dhe 2015 kategoria ‘mallra dhe shërbime; vetëm se është zvogëluar për 15%”.

Demi ka thënë për gazetën se ulja e investimeve kapitale vetëm për të bërë rritjen e rrogave për 25 për qind, do të ishte negative për aspektin zhvillimor të Kosovës.

“Rritja e parë prej 25 për qind ne 2014 ka bërë që buxheti i shtetit të jetë në masë të madhe jozhvillimor dhe të kritikohet nga FMN-ja dhe KE-ja përmes Raportit të Progresit. Kjo dëmton shumë sektorin privat, për shkak se rritja e pagave në sektorin publik, do të rrisë presionin edhe në sektorin privat që të ketë rritje”, ka thënë Demi, shkruan Koha Ditore.