Rritja e pagave është keqkuptuar

Ministri i Financave, Besim Beqaj, thotë se çështja e rritjes së pagave është keqkuptuar. Sipas tij, rritja prej 100 për qind është premtuar për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar. FMN thotë se ka një hapësirë për rritjen e pagave.

Lajme

18/11/2013 13:08

Ministri i Financave, Besim Beqaj, deklaroi sot se Kosova ka rritjen më të madhe buxhetore në rajon për vitin 2014 – mbi 4 për qind.

Beqaj, pas takimit që zhvilloi me një delegacion të FMN’së, tha se Buxheti për vitin 2014 parasheh realizimin e disa projekteve kapitale në Kosovë.

“Kosova mbetet njëra ndër vendet me stabilitet fiskal më të mirë në rajon, dhe njëra ndër vendet të cilat edhe nga aspekti i rritjes ekonomike po shënon progres të konsiderueshëm me rritje me mbi 4 për qind”.

“Buxheti njëkohësisht mbulon koston për ish të burgosurit politikë dhe kategoritë e luftës, por ajo çka është shumë më e rëndësishme parasheh edhe – rritje të pagave”.

“Mundëson vazhdimin e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës. Mundëson projektet kapitale, si projekti në drejtim të Maqedonisë – Autostradën 6, ku procedurat janë në përfundim e sipër dhe ne jemi të gatshëm që të fillojmë. Kjo është në buxhetin e vitit 2014”.

“Ky projekt-buxhet parasheh më shumë investime për shëndetësi, më shumë investime në edukim, më shumë në drejtësi, gjithashtu në bujqësi parasheh rritje të cilat shkojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Beqaj tha se rritja e pagave për 100 për qind është keqkuptuar. Kjo rritje, sipas tij, do të ndodhë vetëm në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

“Po e them për të satën herë, do të ketë rritje meritore të pagave. Për vendimin se kur do të rriten dhe sa do të rriten, do të njoftoheni me kohë”.

“Nuk është thënë – ose së paku unë nuk e kam kuptuar deri tash – që dikush ka thënë se në vitin 2014 do të ketë rritje 100 për qind të pagave. Mbase është keqkuptuar.

“Rritja e pagave 100 për qind është premtuar në mandatin tjetër qeverisës, ndërsa investimet kapitale janë premtuar dhe janë pjesë e programeve të Kryetarëve të Komunave të cilat do t’i fitojnë zgjedhjet në kuadër të procesit zgjedhor”.

Kryesuesi i Delegacionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Johannes Wiegand, tha se Qeveria e Kosovës ka përmbushur më sukses kriteret e parapara me marrëveshjen 20 mujore “Stand By”.

Përmes programit Stand By, Kosova ka përfituar rreth 107 milionë euro, ndërsa pritet të përfitojë edhe 5 milionë euro për buxhetin e Kosovës.

Johanes Wiegand nga FMN tha se buxheti i Kosovës për vitin 2014 mundëson rritjen ekonomike mbi 4 për qind – më të lartën në rajon.

Wiegand theksoi se me buxhetin e vitit të ardhshëm nuk kërkohet privatizimi i PTK’së, dhe ky nuk është parakusht as për ndërtimin e autostradës së re.

“Pas dy viteve e gjysmë të menaxhimit të disiplinuar fiskal, mendojmë e buxheti është mjaft i fuqishëm për të financuar një projekt të madh të infrastrukturës – autostradën e re, nga vet resurset e Kosovës, pa pasur nevojë për ekstra financim”.

“Në fund, sigurisht ka një hapësirë të caktuar për rritjen e pagave në sektorin publik. Mendoj se është shumë herët të flitet në përqindje të sakta, por do të gjenden modalitetet”.

“Sa i përket buxhetit, sigurisht që ka një hapësirë për rritjen e pagave të sektorit publik. Mendoj se është shumë herët të flitet për përqindjet e sakta, sigurisht duhet të përcaktohen modalitetet dhe kur do të miratohet kjo rritje pagash”.