Rritja e dyshimtë e pagave të bordit të KOSTT-it

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka konstatuar se shtesa mbi pagën bazë të anëtarëve të bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) duhet të ndalet, sepse e njëjta bie ndesh me ligjin.

Lajme

07/02/2018 15:15

Ky konstatim është dhënë nga të gjithë anëtarët e këtij Komisioni gjatë raportimit që anëtarët e bordit të KOSTT-it.

KOSTT-i ka nisur të raportojë para Kuvendit të Kosovës pas ndryshimeve ligjore që ishin bërë vitin e kaluar, të cilat e shndërruan kompaninë nga ndërmarrja publike në agjenci të pavarur që i raporton Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i këtij Komisioni, Lumir Abdixhiku ngriti dy shqetësime rreth të hyrave të bordit të drejtorëve të KOSTT. Ai tha se një vendim i Kuvendit të Kosovës për rritjen e pagave për anëtarët e bordit është zbatuar në mënyrë retroaktive nga bordi i KOSTT-it.

“Nëse është implementu vendimi 6 muaj ma herët kjo nuk është e drejtë. Nuk mundem me ju përkrah në këtë vendim kjo s’ka bazë ligjore”, ka thënë Abdixhiku për rritjen e pagave në mënyrë retroaktive.

Ai tha se vendimi i Kuvendit për rritjen e pagave për anëtarët e bordit të KOSTT-it ishte për zbatim nga muaji dhjetor, ndërsa anëtarët e bordit i kanë marrë pagat me rritje në mënyrë retroaktive nga muaji qershor i vitit 2016.

Abdixhiku e ka ngritur edhe çështjen e shtesave që anëtarët e bordit kanë përfituar nga 90 euro për secilën mbledhje shtesë të mbajtur brenda 1 muaji. Abdixhiku ka kërkuar nga bordi i KOSTT-it që të anulohen këto shtesa.

Naser Osmani nga LDK tha se zbatimi i vendimit për paga në mënyrë retroaktive është vendim i palogjikshëm, kurse për shtesat as që duhet të diskutohet.

“Çështja e shtesave as që diskutohet, pasi që këta munden me shku 365 herë në takime. Ligji thotë qe mjafton një herë në muaj të ketë takime me bordin dhe anëtarët e tij. Me gjithë dëshirë meqenëse është fillimi, me votu me aprovu, por qysh me aprovu një vendim të paligjshëm”, tha Osmani.

Blerim Kuçi ka rekomanduar që të analizohet edhe raporti i Auditorit për KOSTT-in, për të parë nëse janë ngritur këto shqetësime. E nëse Auditori nuk i ka konstatu këto shkelje, atëherë duhet parë se cili auditor e ka kryer auditimin. Ai tha se duhet të analizohet edhe çështja e mëditjeve, por e njëjta duhet të zbatohet në të gjitha bordet sepse ka informacione se ka edhe borde të tjera që marrin mëditje.

Kryesuesi i takimeve të bordit të KOSTT-it, Gani Jashari, para Komisionit parlamentar tregoi se gjendja e ndërmarrjes nuk është e mirë.

“Janë shkarkuar tre anëtarët e bordit nga ana e Qeverisë së Kosovës. Gjendja në KOSTT nuk është shumë e mirë edhe pse tani më ka kaluar në aksionet e Kuvendit të Kosovës”, tha Jashari.

Komisioni e dërgoi raportin e KOSTT-it për vitin 2016 pa rekomandime.

Njëkohësisht, Komisioni do të kërkojë nga Kuvendi i Kosovës të iniciohet plotësim-ndryshimi i ligjit për KOSTT-in./Kallxo.com