Rritet numri i viktimave të dhunës në familje, strehimoret po mbushen 

Dhuna në familje po shënon rritje, ndërsa strehimoret po përballen me shumë probleme, duke filluar nga ato financiare. Kjo është edhe njëra prej arsyeve që viktimat, duhet të kthehen të abuzuesit.

Lajme

12/12/2018 20:23

Strehimorja “Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve” këtë vit ka pasur një rritje të numrit të viktimave te dhunës. Këtë e thotë edhe vetë drejtoresha e qendrës, Zana Asllani.

“Nëse marrim statistikat në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i grave të strehuara është më i lartë për 10%. Nga qershori i këtij viti kemi rihapur strehimoren, ku nga ajo periudhë deri sot na janë paraqitur 54 raste nga regjioni i Prishtinës (Prishtina, Podujevev, Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi)”, tha për RTV Dukagjinin, Zana Asllani.

Sfidë në këtë strehimore janë nënat me fëmijë, të cilat nuk kanë mundësi që fëmijët e tyre të vijojnë mësimin e rregullt, për shkak të lokacionit të shkollave.

“Rastet e nënave më fëmijë është një problematik që ende nuk kemi mundur të zgjidhim me Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë, pasi kemi kërkuar që nxënësit të shkojnë në shkollën më të afërt në mënyrë që të mos humbin asnjë ditë shkollë”, deklaroi Zana Asllani.

Problem për këtë qendër, është edhe financimi ekonomik. Kjo është arsyeja kryesore që viktimat mund të kthehen prapë tek abuzuesi.

Në Kosovë ekzistojnë 9 strehimore për viktimat e dhunës, të cilat janë të licencuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.