Rritet numri i të pastrehëve në Amerikë

Numri i të pastrehëve në Shtetet e Bashkuara ra me 3% gjatë periudhës 2015 – 2016. Por, 13 shtete amerikane, si dhe kryeqyteti Uashington, përjetuan një rritje të numrit të të pastrehëve.

Bota

26/06/2017 23:24

Ndër këto shtete është edhe Kalifornia, e cila ka ndër përqindjet më të larta të të pastrehëve. Bashkia e Los Anxhelosit ka pësuar një rritje prej 23% të numrit të të pastrehëve. Ndërsa votuesit e atjeshëm miratuan vendosjen e një takse të re që do të ndihmojë në uljen e nivelit të të pastrehëve, qytetarët thonë se duhet bërë shumë më tepër se kaq.

Shenjat e të pastrehëve gjenden kudo në Los Anxhelos. Këtë lloj jete e njeh mirë Destiny Prescott.

“Flija në makinë apo në plazh”, tregon ajo.

“Po shohim një shtim me shpejtësi të të pastrehëve”, thotë Peter Lynn, i Autoritetit të Strehimit të Los Anxhelosit.

Mendohet se një ndër arsyet kryesore është numri i pakët i shtëpive që ofrohen me qera në zonat ku niveli i varfërisë është tashmë i lartë.

“Ndërsa ekonomia po fuqizohet, rritet dhe kapaciteti për të shpenzuar në tregun e qeramarrjes, por kjo përkthehet në rritje të qerave. Qeratë po rriten me 100$ apo 200$ çdo herë. Askush nuk ka të ardhura të përballojë një nivel të tillë rritjeje”, thotë zoti Lynn.

“Të pasurit po pasurohen më shumë, ndërsa klasa e mesme po zhduket gradualisht”, thotë aktivistja Tanya Tull.

Në Venice, një komunitet bregdetar i Los Anxhelosit, gjenden pranë njëra-tjetrës kampe të të pastrehëve dhe shtëpi disa milionë dollarëshe.

“Banorët i gjejnë të pastrehët duke kryer nevojat në oborrin e shtëpisë. Qyteti duhet të bëjë më shumë për këtë kategori të pastrehësh, si dhe për të ruajtur investimin që kanë bërë banorët e zonës”, thotë William Hawkins, i “Komitetit për të Pastrehët në Venice”.

Një strategji e re që po ndiqet në Los Anxhelos dhe më gjerë në SHBA, është programi i quajtur “E para shtëpia”, që i mundëson strehim të përhershëm një personi të pastrehë, pa vendosur parakushte për të ndjekur kurse arsimimi etj.

“Mendjes njerëzore i duhet një shtëpi, një hapësirë e sigurtë. Pra, duhet ta mundësojmë këtë gjë pavarësisht kostove”, thotë zonja Tull.

“Pasi i sistemon nëpër shtëpira, atëherë fillon t’u ofrosh shërbime nëpërmjet vizitave në shtëpi, si p.sh. kujdes shëndetësor dhe mendor”, thotë Tessa Madden Storms, e organizatës “Path”.

Destiny Prescott dhe e bija u ndihmuan nga programi i strehimit “PATH Gramercy”.

“Gjendemi tashmë në hapësirën tonë. Kemi një derë që e kyçim me çelësin tonë. Na bën të ndjehemi mirë”, thotë zonja Prescott.

Është ky modeli i zgjidhjes që Los Anxhelos synon të ndjekë, pra duke ndërtuar godina të reja dhe duke shndërruar godinat ekzistuese në strehim të përhershëm për të pastrehët. /VoA