Rritet mosha e personave që kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur përvojë seksuale

Sakai nuk pa pasur kurrë ndonjë lloj marrëdhënie me një grua dhe ai thotë se nuk ka as idenë më të vogël si të veprojë me një partnere të mundshme.

Lifestyle

12/06/2015 08:02

Burrat e moshës së mesme në Japoni mendohet se janë martuar dhe kanë krijuar familje të shëndetshme, por një numër gjithnjë e në rritje 40-vjeçarësh pretendojnë se nuk kanë hedhur ende hapin e parë…

Takashi Sakai është një 41-vjeçar i shëndetshëm, heteroseksual, me një punë të mirë dhe një buzëqeshje tërheqëse. Por ai nuk ka bërë kurrë seks, duke u bërë kështu një prej shumë japonezëve të moshës së mesme që janë ende të virgjër.

Sakai nuk pa pasur kurrë ndonjë lloj marrëdhënie me një grua dhe ai thotë se nuk ka as idenë më të vogël si të veprojë me një partnere të mundshme.

“Nuk kam pasur kurrë një të dashur. Nuk ka ndodhur kurrë, – thotë ai. “Nuk është prej faktit se nuk jam i interesuar. I admiroj femrat. Thjesht nuk mund të hyj në atë rrugë”.

Mund të tingëllojë si subjekti i një filmi komedi të Hollivudit, por larg nga portreti i vetëm i aktorit Steve Carell në komedinë e vitit 2005 “40 vjeç i virgjër”, Sakai është një nga një pjesë e madhe e turmës.

Një studim i vitit 2010 nga Instituti Kombëtar i Popullatës dhe Sigurisë Sociale, zbuloi se rreth një e katërta e japonezëve të pamartuar te të 30-tat ishin ende të virgjër. Kjo çoi në krijimin e një termi të veçantë për t’i përshkruar ata, që ishte “yaramiso”.

Shifra ishte 3 për qind më e lartë sesa gjetjet e një studimi të ngjashëm të vitit 1992. Periudha korrespondon me ngadalësimin ekonomik të tejzgjatur të Japonisë.

Ekspertja e shkuesisë për çiftet, Yoko Itamoto thotë se problemet ekonomike kanë luajtur rolin e tyre te burrat japonezë, pasi për ta është më e vështirë të gjejnë punë të sigurta dhe me kohë të plotë.

“Shumë burra duket se kanë humbur vetëbesimin pasi kanë humbur ‘muskulin’ e tyre ekonomik”, thotë ajo. “Në dy dekadat e fundit, situata për japonezët ka qenë shumë e vështirë dhe konkurruese”.

Dhimbja e shkaktuar nga pamundësia për të formuar marrëdhënie emocionale dhe fizike me femrat është diçka që një arkitekt 49-vjeçar, që nuk deshi t’i dilte emri, e njeh mirë.

Vetëm dy herë në jetë ka përjetuar ndjenja romantike dhe seksuale për një grua. Hera e parë ishte kur ishte te të njëzetat dhe e dyta dy dekada më vonë. Të dyja e refuzuan.

“Ishte shkatërrimtare, – tha ai për AFP. – Dukej se zhvlerësoi jetën time dhe hoqi arsyet për të jetuar”. Në të dyja rastet ai pësoi humbje të shpejtë në peshë dhe tani ka frikë se mund ta vazhdojë jetën si një i virgjër dhe si beqar i përhershëm.

Statistikat ndërkombëtare të krahasueshme janë të vështira për t’u gjetur, por japonezët duket se bëjnë më pak seks sesa ata që jetojnë në vende të tjera të zhvilluara.

Në vitin 2010, 68 për qind e 18-19-vjeçarëve në Japoni thoshin se ishin të virgjër; një studim i kryer atë vit në Europë nga Durex zbuloi se shkalla e virgjërisë te mosha 15-20-vjeçare ishte më e ulët.

Për shembull, më pak se 20 për qind e të rinjve gjermanë nuk kishin bërë seks përpara të njëzetave, ndërsa në Turqinë konservative, shifra ishte vetëm 37 për qind.

Për Shingo Sakatsume, ka një çudi në Japoni, në vendin ku fotot e seksit janë kudo, në televizion, në librat komikë dhe në shumë rrugë qyteti e megjithatë, bisedat për të janë të pakta.

“Në Japoninë e sotme, ne nuk kemi ku të mësojmë rreth seksit apo si të formojmë një marrëdhënie romantike”, – thotë ai.

Sakatsume drejton një grup jopërfitues i quajtur “Duar të bardha” që ndihmon njerëzit handikapë të gjejnë një rrugëzgjidhje për nevojat e tyre seksuale, bazuar në moton: “Maturia seksuale do të thotë maturi shoqërore”.

“Edhe nëse personi ka aftësi të kufizuara, dikush që njeh dhe pranon trendet e tij seksuale mund të jetë në gjendje të ndërtojë marrëdhënie të balancuara me të tjerët”,- thotë ai.

“Njerëzit që nuk kanë maturi seksuale priren të jenë të druajtur nga ana sociale”. Tani ai ndihmon edhe të tjerët që nuk kanë probleme trupore të përmirësojnë sjelljen e tyre seksuale për të kapërcyer një barrierë drejt vetëpërmbushjes.

Kjo përfshin dhënien e mësimeve se si të gjejmë një partner seksual dhe si të krijojmë një lidhje konstruktive në programin e tij “Akademia e të virgjërve”.

Dekada më parë, morali shoqëror ruante të rinjtë në fazat e jetës, thotë Sakatsume. Por sot, i takon secilit të gjejë një partner të mundshëm dhe të negociojnë për seks.

Sakai, një 41-vjeçar që u përfshi në studimet e Akademisë së të Virgjërve thotë se programi e ka ndihmuar atë që ta shohë mungesën e eksperiencës seksuale si diçka që nuk është fundi i botës.

“Nuk ka përse të jemi pesimistë”, – thotë ai. – Mbi të gjitha, të jesh i virgjër nuk është diçka fatale”.