Rritet bashkëpunimi parlamentar Kosovë- Shqipëri

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, gjatë një vizite zyrtare në Shqipëri, janë pritur nga nënkryetarja e Kuvendit dhe kryetare e delegacionit shqiptar në AP të KiE-së, Valentina Leskaj.

Lajme

11/02/2017 11:36

“Bashkëpunimi ndërmjet dy kuvendeve, me theks të veçantë i shtrirë edhe në nivelin e komisioneve parlamentare, u vlerësua si një bashkëpunim strategjik. Në takim u diskutua lidhur me qëndrimet e Kosovës ndaj situatës së tensionuar që u krijua në veriun e Kosovës, ku u theksua se institucionet e Kosovës kanë ndjekur një politikë të pjekur në çështjen e trenit dhe të murit në Mitrovicë. Delegacioni ynë mori mbështetje lidhur me çështjen e integrimit të Kosovës në proceset euro-atlantike. Në fund shpreha falënderime për znj. Leskaj, për pritjen e ngrohtë duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ajo ka luajtur në plotësimin e të drejtave të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka shkruar Reçica në faqen e tij në Facebook.

Delegacioni nga Kuvendi është pritur edhe nga kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade.

“Gjatë takimit u nënvizua   rëndësia  e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy shteteve si edhe domosdoshmërinë e intensifikimit të tyre, çështja e trenit provokativ nga Serbia, e gjithashtu edhe ndalimi i z. Ramush Haradinajt, në Francë duke shpresuar që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë”, ka shkruar Reçica.

Anëtarët e Komisionit Punë të Jashtme, në kuadër të vizitës  në Kuvendin e Shqipërisë u priten në takime të ndara edhe nga  deputeti Pandeli Majko, kryetar i delegacionit Shqiptar në AP të NATO-s, nga Luan Rama, kryetar i Grupit parlamentar të LSI.

“Me këtë rast, dua të shpreh falenderimet e delegacionit tonë, për mikpritjen e ngrohtë dhe mbështetjen e pakursyer për vendin tonë, që na u ofrua në të gjitha vizitat që realizuam në Kuvendin e Shqipërisë”, ka shkruar Reçica në faqen e tij në Facebook. /Lajmi.net/