Rritet bashkëpunimi në mes të KRU “Prishtina” dhe Postës së Kosovës

Gjatë ditës së sotme përfaqësues të ndërmarrjes publike Posta e Kosovës u takuan me zyrtarë të lartë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Lajme

05/11/2018 15:17

Në këtë takim i cili u mbajt në zyrat e drejtorisë së ujësjellësit të Prishtinës të pranishëm ishin, kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina” sh.a., Ilir Avdullahu dhe zyrtari kryesor financiar Sokol Duraku, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha , zyrtari kryesor financiar i Postës, Behxhet Maliqi dhe drejtori i departamentit të shitjes Bashkim Mustafa.

“Tema e takimit të sotëm në mes të të dyja palëve ishte, përmirësimi i kualitetit të shërbimeve për konsumatorët të cilët janë pjesë e pandashme dhe shumë e rëndësishme për të dy ndërmarrjet publike”, thuhet në njoftim, shkruan lajmi.net.

Me qëllim të bashkëpunimit më të madh dhe me qëllim të përkrahjes së Postës së Kosovës, zyrtari kryesor financiar nga KRU “Prishtina”, Duraku tha se kjo kompani është e gatshme që ta përkrahë Postën e Kosovës dhe morën vendim të përbashkët që në faturat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit të postohet llogaria e Postës, gjithnjë në shërbim të konsumatorit duke u munduar që t’ua lehtësojnë punën e pagesave për këto shërbime.

Përgjatë diskutimeve të njëpasnjëshme lidhur me shërbimet që i ofrojnë këto dy ndërmarrje konsumatorëve, sidomos pagesat e shërbimeve të ujit dhe kanalizimit që bëhen përmes Postës, u zotuan për përkrahje të dyanshme dhe u dakorduan që të gjitha veprimet t’i ndërmarrin bashkërisht.

“Do të jemi të gatshëm që të zgjerojmë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera në mënyrë që qytetarëve tanë të ju ofrojmë shërbime sa më afër vendbanimeve të tyre dhe të njëjtat të jenë sa më efikase” u shprehën ndër të tjerash kryeshefat ekzekutiv të të dyja ndërmarrjeve. /Lajmi.net/