Rriten gjobat në trafik, ulen vdekjet në aksidente

Policia ka rritur numrin e gjobave të trafikunt nga janari në korrik, krahasuar me vitin paraprak. Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Lajme

21/08/2018 10:19

Sipas statistikave të PK-së dërguar për KALLXO.com, gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2017 janë shqiptuar 219 mijë e 480 tiketa trafiku, ndërsa nga janari deri në korrik të këtij viti, policia ka shpërndarë 229 mijë e 433 gjoba.

Ndërkaq, sipas raporteve 24 orëshe ditore të PK-së, këto ditë ka pasur zvogëlim të numrit të dënimeve në trafik në rrugët e Kosovës.

Lidhur me këtë, Baki Kelani tha se numri i shqiptimit të gjobave në baza ditore dallon varësisht prej numrit te kundërvajtësve.

“Numri i gjobave ka shënuar rritje në krahasimin e bërë për këtë periudhë kohore, ndërsa numri i shqiptimit të gjobave në baza ditore dallon varësisht prej numrit te kundërvajtësve”, tha ai.

Sa i përket aksidenteve, numri i atyre me fatalitet ka shënuar rënie.

Vitin e kaluar për shtatë muaj kanë ndodhur 65 aksidente fatale, ndërsa për periudhën e njëjtë të këtij viti, janë regjistruar 50 aksidente fatale.

Të vdekur nga aksidentet në shtatë muajt e parë të 2017-ës kanë mbetur 71 persona, ndërsa këtë vit nga janari deri në korrik kanë vdekur 67 persona ose 4 qytetarë më pak.

Sipas Policisë, në tërësi janë shënuar 1351 më pak aksidente.