Rriten frikshëm temperaturat, merr flakë pylli në Mallakastër

Vatrat e zjarrit që përfshinë një masiv me pisha në fshatin Ngraçan, Njësia Administrative Ngraçan, bashkia Mallakastër, u riaktivizuar përsëri.

Lajme

28/06/2017 15:49

Gjatë natës për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë pati riaktivizim të zjarrit në disa trungje të shkrumbuar të pemëve të pishave dhe si rezultat në orët e para të mëngjesit u rishfaqën vatra zjarri intensive. Shërbimi vendor i MZSH në bashkinë Mallakastër, në bashkëpunim me drejtues të Njësisë Vendore u angazhuan me forca dhe mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Për shkak të terrenit të thyer nuk pati mundësi të angazhoheshin mjetet zjarrfikëse, raportojnë Emergjencat Civile.

Pas një pune të gjatë dhe me intensitet të lartë zjarrfikësit në bashkëpunim me komunitetin kanë arritur të shuajnë vatrat e zjarrit plotësisht. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 10 ha me shkurre dhe pisha. Gjatë tre ditëve nga zjarri janë djegur gjithsej një sipërfaqe me rreth 30 ha shkurre, ferra dhe pemë pishe./shekulli