Rripi i sigurisë tek fëmijët

NHTSA në Amerikë ka zbuluar se më shumë se një e treta e fëmijëve (nën moshën 13 vjeçare), të cilët kanë vdekur në aksidente, nuk ishin të lidhur me rripat e sigurisë apo të vendosur në ulëset e përshtatshme për fëmijë.

Auto & Tek

21/09/2013 23:03

Na duket shumë e tmerrshme kur dëgjojmë se në një aksident trafiku ka vdekur një fëmijë, por shumë më i tmerrshëm është fakti që shumë prej këtyre vdekjeve kemi mundur t’i parandalojmë.

NHTSA në Amerikë ka publikuar një studim të aksidenteve të automjeteve nga viti 2011 dhe ka zbuluar se më shumë se një e treta e fëmijëve (nën moshën 13 vjeçare), të cilët kanë vdekur në këto aksidente, nuk ishin të lidhur me rripat e sigurisë apo të vendosur në ulëset e përshtatshme për fëmijë.

Për më tepër, një tjetër studim nga General Motors tregon se një e katërta e prindërve dhe kujdestarëve vozisin me fëmijët e palidhur me rripat e sigurisë por edhe në disa raste fëmijët i vendosin në ulësen e parë.

Sipas studimit, aksidentet me makina janë shkaku numër një i vdekjes së fëmijëve. Kjo organizatë ka ngritur një uebfaqe http://www.safercar.gov/ për t’i vetëdijësuar ose informuar prindërit dhe kujdestarët për rrezikun që bartin në rastet kur vendosin t’i vozisin fëmijët të pa-lidhur në ulëse të automjetit.

Pamvarësisht largësisë apo kohës që do të vozitni, fëmijët tuaj dhe ju gjithmonë duhet të keni të vendosur rripat e sigurisë! Gjithashtu një fakt shumë i rëndësishëm është që ulësja për fëmijë të jetë e përshtatshmë për moshën që e ka fëmija.