Rri rahat në 100 ditët e para

Qemajl Mustafa thotë se në 100 ditët e para të qeverisjes së Lutfi Hazirit nuk ka ndërmend ta “ngucë” atë. Edhe pse, sipas Mustafës, ai duhet të jetë aktiv dhe iniciator në punë.

Lajme

05/01/2014 10:13

Ish Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, thotë se me kureshtje po e përcjellë punën që po e bën Lutfi Haziri, në muajin e parë të punës.

Por Mustafa është shprehur se nuk e  ka ndërmend ta “ngucë” Hazirin, derisa ai nuk i bën 100 ditë të qeverisjes së tij, raporton rajonipress.

“Nuk do ta ngucim kryetarin derisa të kalojë 100 ditëshi. Tani në fillim do të kërkojmë nga ai që të vendos drejtorët sa më shpejt që të kontribuojë në zgjedhjen e organeve të Kuvendit që në seancën e parë të radhës”, ka thënë Mustafa.

Ai thotë se nga Haziri kërkohet që të definohet struktura e komiteteve dhe ato të jenë funksionale, më së largu që nga fillimi i marsit dhe në seancën e dytë që do të duhej të jetë kah fundi i shkurtit, Kuvendi duhet të merret me vendime dhe iniciativa përgatitore për punën e tij dhe të ekzekutivit të komunës.

Mustafa nuk preferon pritjen që po e bën Haziri për militantët e LDK’së në objektin e institucionit të komunës, por thotë se ky është përcaktim i tij.

“Pritja e militantëve është përcaktim i kryetarit të ri, por komuna ka nevojë që kryetari të jetë aktiv në punë dhe me iniciativë çdo ditë sepse procesi është i tillë, është kompleks dhe në rritje e forcim përherë, por që kërkon monitorim dhe përkujdesje të saktë e të qëndrueshme”.

Ish kreu i komunës, ka thënë se dimri është koha më ë mirë për të planifikuar e projektuar, e vera është për zhvillim e realizim të këtyre planeve.

Sa ishte në pozitë, ai për vete s’ka pritur shumë mysafirë.

”Unë nuk kam pritur shumë njerëz kur e pata marrë mandatin sepse u pata thënë njerëzve se duhet që të na kuptojnë që kemi shumë punë dhe jemi mirëkuptuar”, tha Qemajl Mustafa.