Rrëzimi i bustit të diktatorit, rrëfimet e protagonistëve

Numërohen 27 vjet nga rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha. Mes debatit nëse ishte apo jo e organizuar nga brenda sistemit rënia e komunizimit në Shqipëri, protagonistët në grevë urie dhe në demonstratën e 20 shkurtit ’91, nuk kanë asnjë dilemë se gjithçka erdhi prej tyre.

Lajme

20/02/2018 22:57

“Ishte një organizim spontan. Realisht nuk jemi nisur për të rrëzuar atë monument, ai erdhi si pasojë e urrejtes, e masivitetit të njerëzve”, shprehet Fatmir Merkoçi, organizator i protestës.

“Është shumë kuptimplotë sesa kurajo kishin studentët e asaj kohe! Sa të vetëdijshëm ishin për atë që po bënin”, thotë Ndue Lugja, një tjetër organizator i grevës.

Franz Gustincich identifikohet si gazetari i vetëm i huaj që ka fotografuar në shesh rënien e shtatores. Ai e ka të vështirë ta besojë se pati revolucion, kur pa se një demonstratë e tillë nuk pati të vrarë. “Në mos e planifikuar, ishte e pranuar nga qeveria”, dyshon ai.

Por vendasit janë të bindur për të kundërtën deri tek porosia e Ramiz Alisë për të qëlluar mbi protestues. Besnik Mustafaj u bë dëshmitari i parë për francezën “Le Mond” për një gazetar sportiv, të cilit rastësisht i kishte ruajtur kartvizitën.

“Unë ja di për nder atij burri, sepse më besoi. Unë i thashë filloi dhe ai mund të mos më besonte”, tregon Besnik Mustafaj.

Më 20 shkurt, Besnik Mustafaj do të raportonte për rënien e shtatores së diktatorit si gazetar Agjencisë Franceze të Lajmeve AFP.

Elez Biberaj i Zërit të Amerikës, radios që u bë ndoshta dritarja e parë e fjalës së lirë, pohon se cili ishte qëllimi, veç raportimit objektiv.

“Që Shqipëria më në fund t’i bashkohej familjes së vendeve të lira”, tregon ai.

Simbolet e diktaturës ranë. Në qershor të atij viti, Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker u tha shqiptarëvenë Tiranë; “Liria funksionon!”

Diçka tjetër shtoi lideri historik i PD-së Sali Berisha për takimin e asaj dite.

“Më thotë a ka rënë komunizmi? Komunizmi më ka rënë, por mbetjet e tij janë toksike”, kujton Sali Berisha.

Në Facebook, Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike flet për diktaturë të re të krimit në Qeveri, diktaturë të korrupsionit dhe të varfërisë.

YouTube player