Rreziku nga terrorizmi, të gjitha kishat gjatë Pashkëve sigurohen 24 orë nga Policia

Autoritetet e sigurisë në Kosovë janë alarmuar nga disa kërcënime që po konsiderohen serioze për organizimin e sulmeve terroriste, në prag të festës së Pashkëve.

Lajme

13/04/2017 23:11

Përveç punës me orar të zgjatur – deri në 12 orë në punë – pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë për detyrë sigurimin e të gjitha objekteve të krishtera në Kosovë.

Të gjitha Kishat në Kosovë nga sonte janë duke u siguruar nga Policia e Kosovës, përgjatë 24 orëve, kanë konfirmuar për Gazetën Express klerikë nga Ipeshkvia e Kosovës.

Ndërkohë, të enjten, kryeministri Isa Mustafa ka mbledhur Këshillin për Siguri, ndonëse pas kësaj mbledhjeje Ministrja e Drejtësisë, që bën pjesë në këtë këshill, ka thënë se mbledhja ishte e rregullt, dhe se nuk ka pasur pikë diskutimi ndonjë çështje specifike.

Ka qenë pikërisht Ambasada Amerikane në Kosovë, e cila e para ka ngritur alarme për gjendjen e sigurisë në Kosovë, ku nëpërmjet një njoftimi ka kërkuar kujdes nga shtetasit e saj në Prishtinë.

Deri më tash, as Policia e Kosovës, e as autoritet e tjera të sigurisë në vend, nuk kanë dhënë detaje konkrete rreth këtyre kërcënimeve të mundshme në vend.

Zyra për Informim e Policisë ka lëshuar vetëm një deklaratë për media, pas njoftimit të ambasadës së SHBA’së në Prishtinë, në të cilën flet në përgjithësi për autorizimet e PK’së për sigurinë e përgjithshme në Kosovë.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit te ligjit, ndër detyrat dhe autorizimet ligjore të saj janë, të mbroj jetën, pronën dhe të ofroj siguri për të gjithë personat, të parandaloj rrezikun ndaj qytetarëve, ta mbajë rendin dhe sigurinë publike. Bazuar ne autorizimet dhe vlerësimet policore që bëhen në vazhdimësi ndërmerren edhe veprime konkrete me personelin e saj, me qellim te ruajtjes se rendit dhe sigurisë se përgjithshme ne vend”, thuhet në deklaratë.

Alarme të ngjashme ka pasur edhe në vitet e shkuara, në prag të festave fetare, në veçanti atyre katolike dhe ortodokse.

Megjithatë, niveli i sigurisë në të kaluarën rritej kryesisht përreth objektit të Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, ndërsa është hera e parë që të gjitha objektet kishtare sigurohen 24 orë në ditë nga Policia e Kosovës.