Rreziku i fqinjëve të Sirisë

Libia nuk ka para, shtëpi, shkolla dhe spitale për të përballuar këtë situatë, përderisa Jordania dhe Turqia, me nga rreth 500 mijë refugjatë besohet të kenë shpenzuar të paktën 2 miliardë dollarë.

Bota

30/09/2013 16:04

Shtetet fqinje të Sirisë pritet të kërkojnë nga donatorët mbështetje për t’u përballur me krizën e vazhdueshme që kanë me refugjatët, në një takim në Gjenevë.

Ministrat e Jashtëm të Libanit, Jordanisë, Turqisë dhe Irakut do të prezantojnë një raport në këtë takim, i cili është i organizuar nga OKB.

Më shumë se dy milionë sirianë kanë ikur nga shteti i tyre, dhe shumë të tjerë janë zhvendosur prej një vendi në vend tjetër brenda territorit të Sirisë.

Në ndërkohë, Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad tha se ai do të pajtohet me planin që të largojë armët kimike nga vendi i tij.

“Natyrisht se ne duhet të pajtohemi. Kjo është historia jonë, ne duhet të pajtohemi dhe t’i bindemi çdo marrëveshjeje që ne nënshkruajmë”, tha ai për televizionin italian RAI News 24.

Të premten, Këshilli i Sigurisë i OKB miratoi një rezolutë që detyron Sirinë që t’i eliminojë armët kimike deri në mesin e vitit 2014.

Inspektorët nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), të cilës i është ngarkuar detyra e zbatimit të planit, pritet të largohen nga Siria së shpejti.

Një ekip i veçantë i inspektorëve të OKB, ka hetuar pohimet e sulmeve me armë kimike dhe shpreson që të mbarojë punën e saj në Siri të hënën.

Agjencia e refugjatëve e OKB’së, UNHCR, ka paralajmëruar se numri i refugjatëve sirianë po kërcënon kohezionin politik dhe social të të gjithë rajonit.

Libia nuk ka para, shtëpi, shkolla dhe spitale për të përballuar këtë situatë, përderisa Jordania dhe Turqia, me rreth 500 mijë refugjatë secila, besohet të kenë shpenzuar të paktën 2 miliardë dollarë për t’u përkujdesur për refugjatët, thotë reporterja e BBC’së nga Gjeneva, Imogen Foulkes.

Në një përpjekje për ndaluar fqinjët ë Sirisë që të mbyllin kufijtë e tyre, donatorëve tradicionalë do t’u kërkohet të hënën mbështetje financiare dhe të ofrohet mikpritje për refugjatët që kanë më shumë nevojë, tha ajo.

Zëdhënësi i UNHCR, Peter Kessler tha se agjencia e tij do të kërkojë “më shumë mbështetje për vendet mikpritëse duke përfshirë edhe mbështetje financiare por gjithashtu edhe ndihma humanitare në zonat ku kërkohet më shumë kujdesi shëndetësor, edukimi, infrastruktura dhe disa projekte të tjera”.

“Për shumë prej këtyre shteteve të vogla siç është Libani dhe Jordania, fluksi i refugjatëve sirianë paraqet një proporcion të madh me numrin aktual të popullsisë në këto shtete”, tha ia për BBC.

Trazirat në Siri kanë filluar në mars të vitit 2011, duke u shndërruar në një konflikt në të cilin më shumë se 100 mijë njerëz vlerësohet të jenë vrarë.

Inspektorët e OKB kanë hetuar sulmin e 21 gushtit në Damask, që la të vdekur qindra njerëz dhe ka ngritur kërcënimin e aksionit të forcave ndërkombëtare ushtarake kundër forcave të presidentit Assad.