Rrezikimi i shtetit

Kjo është gjendja reale në Kosovë. E një konflikti të egër politik, i cili në realitet është kërcënimi më i madh për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.

Lajme

29/01/2015 10:32

Në kulminacionin e debateve tej mase të tensionuara në Serbi, pas ngjarjes me dronin në ndeshjen në mes të Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, ata pak publicistë dhe politikanë serbë që provuan në janë të esëllt në vlerësimin e kësaj ndodhie, mëdyshën me themel vlerësimet e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit droni ka destabilizuar Serbinë.

Ata konstatuan që nëse një dron e bën këtë punë në një ndeshje futbolli, apo e rrëzon përtokë politikën dhe shtetin e Serbisë, atëherë, realisht, as që ka pasur stabilitet në këtë shtet.

Çuditërisht, megjithëse kemi të bëjmë me një ngjarje të natyrës krejtësisht tjetër, te i njëjti konkludim, për stabilitetin, a thënë më mirë brishtësinë e gjendjes në Kosovë, mund të mbërrihet nëse provohet, sërish me gjakftohtësi, e cila aktualisht është inekzistente në këtë politikën kosovare, pa marrë parasysh prej kujt përfaqësohet, të analizohet çfarë ka ndodhë në javët e kaluara me rastin e Aleksandër Jabllanoviqit, ministrit në Qeverinë e Kosovës.

Me disa deklarata, pa dyshim krejtësisht të gabuara dhe të dëmshme, ky ministër arriti të sipërfaqësojë gjendjen reale të politikës kosovare, më mirë se qindra faqe statistikash dhe analizash vendore dhe ndërkombëtare, më mirë se Raportet e BE-së, të State Departmentit, të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Në këtë mënyrë ka dalë në shesh ai nëntëdhjetë përqindëshi i një akullnaje të madhe, e cila rëndom shihet vetëm në atë pjesën e paktë, në majën e saj.

Kjo është gjendja reale në Kosovë. E një konflikti të egër politik, i cili në realitet është kërcënimi më i madh për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.

Për ata që sado pak provojnë të përcjellin zhvillimet në këtë politikën kosovare, ka mundur të parashikohet që prej se u bë Qeveria e re e Kosovës, në fillim të dhjetorit të vitit të shkuar, që pos një mali problemesh sociale dhe ekonomike që ka Kosova, kjo Qeveri do të përballet domodoshmërisht me dy sprova kyç politike: Me atë të raportit midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në përbërjen e vet Qeverisë së Kosovës, dhe me atë të relacionit midis shumicës politike dhe pakicës politike në Kuvendin e Kosovës, dhe në politikën e Kosovës në përgjithësi.

Raporti i parë fliste për domosdoshmërinë e funksionimit të duhur të Qeverisë së Kosovës si një tërësi e vetme, ndërsa ky i dyti, fliste për domosdoshmërinë që situata e re në Kuvendin e Kosovës, ku ishte krijuar një shumicë e mbi dy të tretave në anën e Qeverisë, të mos ndikojë në dobësimin e demokracisë.

Kështu ishte në teori: Sa i përket parashikimeve të zhvillimeve politike në Kosovë.

Megjithatë, llogaritej që këto parashikime do të përmbushen ngadalë, apo, në gjashtë-shtatë muajt e parë të vitit të ri, e jo në gjashtë-shtatë ditët e parë të Janarit, kur gjithçka nisi të rrokullisej me një deklaratë të një ministri. Çfarë u pa prej atëherë e tash flet më së miri se ku ka mbërri, për së keqi, politika kosovare.

Janë dy çështje të cilat duhet të përmenden këtu, për të krijuar, në teori së paku, një kornizë themelore politike për aktualitetin kosovar.

Së pari, shteti pos tjerash, është edhe një hapësirë e përbashkët publike, e politikës në një vend.

Së dyti, Kosova ka mbërri, si shtet, në një stad kur më nuk mund të mbetet, në këtë segmentin e politikës, aty ku ka mbërri (në vijim të gjithë rrjedhës politike në të kaluarën), dhe ku nuk di dhe nuk mundet, ta bëjë ndryshimin e kësaj politike në drejtimin e duhur.

Mbase, kjo është e tëra. Dhe na del sa të duash. Për të keq, natyrisht.

Pra, në çështjen e parë, si qëndrojnë punët tani, shteti i Kosovës, ky që është, nuk po shihet si hapësirë e përbashkët publike politike, apo, dallimet në politikën kosovare, kanë marrë trajtat e kontestimit të këtij tipari themelor të një shteti. Nuk duhet të jesh fort i mençur për të konkluduar se çfarë domethënie të rrezikshme ka ky fakt.

Në çështjen e dytë, ndryshimi i politikës kosovare, i cili është njëmend i domosdoshëm, nëse synohet që Kosova të mbërrijë një qëndrueshmëri afatmesme politike dhe ekonomike, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mund të ndodhë në mënyrë të rregullt, si pasojë e fuqizimit të demokracisë politike dhe e funksionimit të duhur të politikës kosovare.

Është ky një tjetër përfundim që parasheh rrjedha të rrezikshme në Kosovë.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)