Rrezik shumë i madh nga mishi i përpunuar, del një studim i ri

Alkooli, obeziteti dhe mishi i përpunuar e rrit rrezikun e tumorit në stomak. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga Instituti Amerikan për Kërkimet mbi Kancerin dhe Fondi Botëror për Kërkimet mbi Kancerin. Sipas këtij studimi, dy feta proshute në ditë e rrisin rrezikun e shfaqjes së kancerit me 18 për qind.

Lifestyle

23/04/2016 02:32

Studimi i publikuar në faqen e institutit bazohet në 89 studime të mëparshme, me të dhënat e 17.5 milionë të rriturve, 77 mijë prej të cilëve kanë qenë pacientë me kancer në stomak.

Rreziku shtohet edhe më shumë me tre porcione alkool në ditë, 50 gramë mish të përpunuar ose konsumim të ushqimeve të konservuara dhe me sasi të mëdha kripe.

Edhe pesha ka një rol të rëndësishëm në rritjen e rrezikut. Çdo pesë njësi të indeksit të masës trupore e rrisin me 23 për qind rrezikun e kancerit.

“Konsumimi i mishit, por edhe peshkut të pjekur në skarë mund të rrisë rrezikun, ndërsa frutat dhe në mënyrë të veçantë agrumet e parandalojnë”, thonë studiuesit.

Në tetor të vitit të kaluar, mishi i përpunuar u fut në grupin e substancave që shkaktojnë kancer, në mënyrë të veçantë atë të zorrës së trashë./shekulli