Rrezik nga intervenimi rus në Ukrainë, kreu i NATO-s nesër në Kiev

Ministria e Jashtme e Ukrainës njoftoi se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen do të vizitojë Kievin me 7 gusht.

Bota

06/08/2014 19:07

Sipas kësaj ministrie, kjo vizitë bëhet me ftesë të presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe ka për qëllim për të diskutuar mbi marrëdhëniet NATO-Ukrainë, transmeton REL.

Një ditë më parë NATO kumtoi se forcat ruse po sistemohen pranë kufirit ukrainas dhe numri i tyre sillet rreth 20,000.

NATO tha po ashtu se Moska mund të përdorë arsyetimin e një misioni humanitar ose paqeruajtës për të dërguar trupat e saj në Ukrainë.

Po sot kryeministri polak, Donald Tusk ka thënë se e ka pranuar informacionin gjatë “orëve të fundit”, që flet se kërcënimi direkt për një intervenimi ushtarak rus në Ukrainë është “më i lartë sesa që ishte para disa ditësh”.

Moska ka njoftuar me 4 gusht sa ka nisur stërvitje ushtarake pranë kufirit me Ukrainën.

Qeveria e Ukrainës ka njoftuar se në luftime me rebelët pro-rusë kanë mbetur të vdekur 18 ushtarë ukrainas në 24 orët e fundit.