Rreth buxhetit të pabashkuar

Pozita dhe opozita në Kosovë kanë gjetur një shteg të ri të polemikave mes tyre. Përplasja kësaj radhe po ndodh për Ligjin e Buxhetit 2014 dhe çështjen e shumëpërfolur gjatë fushatës zgjedhore, atë të rritjes së pagave.

Lajme

12/11/2013 14:57

Ligji për Buxhetin e vitit 2014, i cili është miratuar para dy javësh në Qeveri dhe është dërguar në Kuvend, ka përplasur pozitën dhe opozitën për çështjen e shumëpërfolur gjatë fushatës zgjedhore të rritjes së pagave.

Deputetja e PDK’së, Safete Hadërgjonaj, thotë për lajmi.net se me këtë Ligj parashihet rritja e pagave për të gjithë shërbyesit civilë.

Por, ndryshe mendon deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, sipas të cilës, rritja do të jetë shumë minore në krahasim me premtimet e mëdha të Kryeministrit.

Buxheti i Vitit 2014 do të jetë rreth 1 miliard e 590 milionë euro.

Kryeministri Hashim Thaçi gjatë fushatës zgjedhore ka propozuar rritje të pagave për të gjitha kategoritë.

Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputetja e PDK’së, Safete Hadërgjonaj, thotë për lajmi.net se premtimet e Kryeministrit Thaçi do të përmbushen.

Sipas saj, Buxheti për vitin 2014 është plotësisht i harmonizuar me programin e Qeverisë dhe me prioritetet që ajo ia ka përcaktuar vetës.

“Ka një rritje në krahasim me vitin 2013. S’është bërë ndonjë rritje e madhe por megjithatë ka rritje, kështu që buxheti është i harmonizuar me FMN’në dhe ne presim që ta shqyrtojmë atë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ta miratojmë në komision dhe të shkohet me miratimin e tij në Kuvendin e Kosovës”.

“Rritja e pagave është një premtim i dhënë nga Kryeministri. Për këtë rritje janë marrë masat me kohë është projektuar edhe një rritje edhe në buxhetin e vitit 2014”.

Një mendim tjetër ka në lidhje me Buxhetin e Vitit 2014 dhe premtimin për rritje pagash deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami.

Deputetja Bajrami thotë për lajmi.net se s’ka ndonjë ndryshim të madh të këtij buxheti me buxhetet e viteve të kaluara.

“Ndryshimi që kemi vërejtur në këtë buxhet është ky:  Buxheti i Vitit 2014 është vetëm 5 milionë euro më i madh sesa buxhetit i vitit 2013 dhe ky është një indikator i mirë për të treguar se ku qëndron Kosova me rritjen ekonomike reale”.

Sa i përket rritjes së pagave, deputetja Bajrami thotë se me një buxhet prej 48 milionësh nuk pret rritje të pagave më shumë se 7 për qind.

“Në fakt asgjë çka është premtuar rreth investimeve kapitale nëpër komunat e ndryshme të Kosovës nuk është e vërtetë, pasi në kornizë buxhetore për tri vitet e ardhshme janë të parapara 405 milionë investime kapitale për komplet 38 komuna, derisa kryeministrit aktual ka premtuar rreth 700 milionë vetëm në gjashtë komuna të Kosovës”.

Buxheti është edhe një pikë tjetër ku nuk bashkohet pozita dhe opozita e Kosovës, të cilat kanë shtuar kritikat dhe akuzat ndërmjet veti gjatë kësaj periudhe zgjedhore.