Rreth 8 mijë biznese hapen brenda një viti në Kosovë

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) publikoi “Hulumtimin për nevojat e tregut të punës 2017”, i cili përmban të dhëna për trendin e ndërmarrësisë vendore dhe të huaj dhe trendin e punësimit në Kosovë.

Lajme

10/10/2017 16:46

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini gjatë prezantimit të raportit tha se ky hulumtim do të ndihmojë gjithë aktorët e tregut të punës sidomos punëmarrësit, vendimmarrësit dhe politikbërësit që të hartojnë politika të punësimit me një avancim të arsimit profesional.

Ai tha se rritja ekonomike ka ardhur si një rezultat i zhvillimit të sektorit privat, remitancave të larta të cilat kanë zhvilluar edhe infrastrukturën në Kosovë. Shahini bërë të ditur se hulumtimi është fokusuar në 1200 biznese në gjithë Kosovën, duke theksuar se punësimi në Kosovë që nga viti 2006 e deri më 2016 ka shkuar në një trend të rritjes, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas tij në Kosovë mesatarisht hapen rreth 8 mije biznese gjatë vitit. Ai theksoi se në vitin 2016 janë hapur 10.544 biznese, ku duke krahasuar me vitin 2015 ka patur rreth 5 për qind rritje, kurse vitet 2003 dhe 2016 janë sipas tij vitet më të suksesshme të regjistrimit të bizneseve.

Shahini theksoi se rritja e regjistrimit të bizneseve të huaja ka shënuar një trend pozitiv ku vetëm gjatë vitit 2016 janë regjistruar përafërsisht 674 biznese të huaja.

Ndër të tjera Shahini foli edhe për shkaqet kryesore për mbylljen e bizneseve të cilat sipas hulumtimit janë: politikat fiskale jo adekuate, mungesa e subvencioneve nga donatorët, norma e lartë e interesit bankar, informaliteti, konkurrenca jo e lirë, etj.

Ndërsa, Lumnije Ajdini nga AKB theksoi se tregu i punës përballet me sfida të ndryshme duke theksuar se numri i vendeve të lira të punës vazhdon të rritet, por bizneset ankohen për një shkathtësi dhe kompetenca të dobëta të fuqisë punëtore. “Duke e ditur se 1200 ndërmarrje kanë qenë pjesë e hulumtimit ka treguar se më shumë se 22 për qind e të punësuarve kanë ndjekur një trajnim profesional për shkathtësi të reja, por është një shifër shumë e vogël. Neve enda na duhet që të punojmë, edhe bizneset duhet të japin edhe më shumë hapësirë trajnimeve të punëtorëve në vendin e punës”, tha Ajdini.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica gjatë fjalimit të tij tha se MPMS ka krijuar një ekip profesional që do t’i nxjerrë rekomandimet e dalura nga ky hulumtim për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të punëmarrësve dhe punëdhënësve. “Rritja ekonomike nuk është shoqëruar në të njëjtën kohë edhe me krijimin e fuqisë punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës”, tha ministri Reçica.