Rreth 500 policë do të angazhohen nesër në Veri

Në veri të Kosovës, atje ku nesër për herë të parë do të mbahen zgjedhjet parlamentare të Kosovës, do të angazhohen rreth 500 pjesëtarë të policisë së Kosovës, të cilët do të kujdesën për sigurinë e procesit zgjedhor.

Lajme

07/06/2014 15:58

Drejtori i Policisë në Veri, Zheljko Bojiq, ka thënë për Tanjug se stacioni i policisë në Mitrovicën e Veriut, ka bërë planin operativ dhe parasheh që të angazhojë rreth 476 policë gjatë procesit të zgjedhjeve në këtë pjesë.

“Në afërsi të qendrave të votimit do të ketë të angazhuar një numër më të madh të policëve, detyra e të cilëve do të jetë të kujdesën për sigurinë e të gjithë qytetarëve. Përveç tyre, do të jenë të angazhuar edhe një numër i policëve në patrulla lëvizëse”.

Ai ka shtuar se pjesë e patrullave do të jenë edhe pjesëtarë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të cilët do të jenë në gatishmëri për të reaguar në rast nevoje.  

Gjatë ditës së nesërme, përveç Policisë së Kosovës, për përkujdesjen e situatës së sigurisë do të jenë edhe trupa të EULEX-it dhe ushtarë të KFOR-it.