Rreth 5 milionë euro dëme nga breshëri në Rahovec

Komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga breshëri dhe reshjet e shiut në Komunën e Rahovecit ka publikuar sot raportin e vlerësimeve të dëmeve në toka bujqësore.

Lajme

04/07/2018 18:16

Sipas vlerësimeve të këtij Komisioni, shiu dhe breshëri ka dëmtuar 1 mijë e 424 hektarë tokë bujqësore në vlerë prej mbi 4 milionë e 800 mijë euro.

Dëmet janë regjistruar në sektorët perimekulturë, lavërtari, vreshtari dhe pemëtari.

Sipas vlerësimit të Komisionit, sipërfaqet e tokave bujqësore të atakuara nga breshëri janë mbi 2280 hektarë dhe ka përfshirë këto zona: Sapniq, Potoqan i Ulët, Bellacërkë, Xërxë, Gexhë, një pjesë e Radostës, Bërnjak, Celinë, Nagac, Hoçë e Vogël dhe Brestoc.

Sipas raportit, dëmet më të mëdha nga breshëri janë shkaktuar në zonat kadastrale, si Sopniqi, Potoqan i Ulët dhe Gexhë, atë të Bellacerkës dhe Bërnjakës, duke u shpërndarë përreth me një shkallë më të ulët, përqindja e dëmit të shkaktuar në këto zona ka qenë deri në 100% në disa kultura bujqësore.

Përveç dëmeve nga breshëri, reshjet e shiut të cilat kanë vazhduar për disa ditë me radhë kanë ndikuar që përrenjtë e fshatrave të dalin nga shtrati i tyre dhe si rezultat i kësaj janë përmbytur shumë toka bujqësore.

Pasi që Komuna e Rahovecit njihet për kultivimin e rrushit, në këtë raport bëhet e ditur se vlera  e dëmeve që i është shkaktuar vreshtarisë është mbi 1 milion euro. Në sektorin e lavërtarisë ndër dëmet më të mëdha janë krijuar në dy kulturat kryesore në grurë dhe misër.

Drejtori i Bujqësisë në Rahovec, Berat Duraku ka bërë të ditur për KALLXO.com, se të njëjtin raport të vlerësimit ia kanë dhënë sot edhe kryeministrit Ramush Haradinaj gjatë vizitës që bëri sot në këtë komunë.

Ndërkohë, Haradinaj u premtoi fermerëve të Rahovecit se do t`i përshpejtojë dhënien e subvencioneve për fermerët, të cilët janë dëmtuar së fundmi nga breshëri.

“Bujqit dhe vreshtarët e fshatrave të goditura nga breshëri i sigurova se nuk do të lihen të vetëm në përballimin e kostos së këtyre dëmeve”, ka shkruar kryeministri në Facebook.