Rreth 5 mijë refugjatë të shpëtuar për tre ditë

Rojat bregdetare italiane vetëm në tri ditët e fundit kanë shpëtuar rreth 4,600 refugjatë në ujërat e Mesdheut.

Bota

06/12/2015 14:41

Vetëm të shtunën Qendra Operacionale e rojave bregdetare në Romë ka kryer nëntë operacione shpëtimi , ku u shpëtuan 1,123 refugjatë që gjendeshin në shtatë varka, ka raportuar AFP-ja.

Ditëve të fundit është rritur numri i refugjatëve që udhëtojnë nëpër ujërat e Mesdheut drejt Evropës për shkak të ujërave të qeta dhe kushteve të përshtatshme klimatike.

Sipas OKB-së, numri i refugjatëve që kalojnë përmes Mesdheut në Evropë ka rënë në mënyrë të konsiderueshme muajve të fundit për shkak të sezonit dimëror si dhe aktivitetit të policisë turke kundër trafikantëve të refugjatëve ilegalë.

Organizata Ndërkombëtare për Emigracion ka vlerësuar se 860,000 refugjatë kanë mbërritur në Evropë vetëm nga fillimi i vitit, derisa rreth 3,500 janë mbytur gjatë tentativës për të kaluar në Evropë.