Rreth 400 sirianë të bllokuar në aeroportin e Bejrutit

Rreth 400 sirianë u bllokuan sot në aeroportin e Bejrutit për shkak të hyrjes në fuqi të një rregulloreje të re nga Turqia, që iu ka vendosur tashmë viza hyrjeje, bëri të ditur një burim.

Bota

08/01/2016 21:22

Këta pasagjerë mbërritën dje me avion nga Damasku, por dy avionë turq që duhet t’i transportonin nuk kishin mbërritur.

“Por, në mesnatë hyri në fuqi detyrimi për të gjithë sirianët që vijnë në Turqi nga ajri apo deti për t’u pajisur me një vizë të dhënë nga një ambasadë turke”, konfirmoi një burim në Ministrinë turke të Punëve të Jashtme.

Kjo masë nuk përfshin ata që mbërrijnë në rrugë tokësore dhe as refugjatët që përbëjnë pjesën më të madhe të sirianëve në Turqi, sipas një zyrtari turk.

“Pasagjerët kanë kaluar natën në aeroportin e Bejrutit sepse një prej avionëve kishte pasur probleme teknike dhe i dyti probleme logjistike”, theksoi Mohammad Shahabeddine, kreu i aviacionit civil libanez.