Rreth 100 infermierë ferizajas do të aftësohen në Gjermani

Komuna e Ferizajt shumë shpejt do të bëjë nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit me një nga qytete e Gjermanisë, për dërgimin e disa të rinjve, kryesisht infermierë, që të punojnë në shtëpi pleqsh.

Lajme

20/05/2014 20:23

Gjatë një takimi që ka zhvilluar kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, me një delegacion gjerman, është mësuar se Komuna e Ferizajt ka marrë obligim të përzgjedhë fillimisht 10 infermierë, t\’ua heqë gjysmën e shpenzimeve për ta mësuar gjuhën dhe, në bashkëpunim me disa ndërmarrës shqiptarë në Gjermani, t\’i dërgojë këta të rijnë për aftësim profesional. Deri në fund të vitit u premtua se do të dërgohen rreth 100 infermierë dhe projekti të vazhdojë edhe më tutje, raporton KosovaPress.

Muharrem Sfarqa këtë projekt e ka cilësuar si të një rëndësie të jashtëzakonshme, duke thënë se të rinjve po ju hapet një perspektivë e re për të ardhmen.

Nga ana tjetër, përfaqësues të shtëpive të pleqve nga Gjermania janë shprehur të interesuar për punësimin e disa të rinjve ferizajas në lëmin e infermierisë. Një marrëveshje paraprake u arrit në mes të kryetarit të Ferizaj dhe delegacionit gjerman.

Është shfaqur nevoja që këto institucione, që funksionojnë me partneritet publiko-privat, të pasurohen me fuqi punëtore dhe kosovarët janë parë si potencial i rëndësishëm

Stafi i cili do të dërgohet në Gjermani, sipas zyrtarëve komunalë, do të shërbejë edhe për aftësimin profesional të ekipeve që do të punojnë në të ardhmen në shtëpitë e pleqve që pritet të hapen në të ardhmen në Kosovë.