Rrëshqitje numrash

Jemi në prag të themelimit të institucioneve nga subjekte që garuan më 11 qershor. Janë disa mundësi të krijimit të qeverisë. U krijua apo jo, shkuam në zgjedhje të përsëritura apo jo, edhe në 2017 do t’përballemi me një lloj tensioni polarizues

Opinion

18/07/2017 14:46

Duket sikur skena politike është lodhur nga vetja, po aq sa edhe qytetarët janë të lodhur me të. Të lodhur meqë rrezikojmë të vazhdojmë të qeverisemi të kushtëzuar përbrenda, të kushtëzuar përreth, të kushtëzuar nga larg. Nuk mund të jetë ndryshe për aq kohë sa vazhdojmë të flasim dhe ta mirëmbajmë standardin e ndërtimit të qeverive të ngritura mbi orteqe spekulimesh në lidhje me numrat, legjitimitetin, përbërjen, synimet. Lodhje madje edhe nga lodhja e lidershipit të partive politike, nga ata që edhe pse të sfilitur politikisht, pas pak ditësh, javësh a muajsh, do të ndjehen të vetë-kënaqur që ia dolën – edhe – kësaj radhe. Mbase të tjerë, që ia dolën – edhe – një herë!

Në demokracitë parlamentare qeveritë kanë të bëjnë me numra që dinë të bëhen hileqar. Rrjedhimisht për aq kohë sa nuk avancohet standardi i të bërit politikë, ata që ngjiten shkallëve të pushtetit të qeverisë, nuk mund të shkelin sigurt në shkallëzimin që krijojnë numrat, pra mund të luhaten ose rrëzohen në rrugëtim. Kësisoj 41-shi mund të jetë më i fortë se 79-shi, 61-shi më i dobët se 59-shi, apo 81-shi më i dobët se 39-shi. Ndodh kështu sepse jo të gjithë numrat janë derivat i një konteksti autentik politik, dhe jo gjithherë numrat janë në shërbim të një destinacioni politik. Në rastin tonë numrat nuk pasqyrojnë fuqinë e vërtetë të një qeverie, cilado qoftë ajo. Përtej parimit universal të numrave ‘hileqar’ të demokracive parlamentare, e dallueshmja e realitetit tonë politik është se kur numrat bëhen hileqar, ata bëhen edhe për faktin se janë nën-produkt i partive, aty këtu hileqare. Me fjalë të tjera, në vend të ardhjes së bashku si rrugëtim politik që mbështetet në vlera, besime dhe synime për të ardhmen, te ne, numrat në qeveri apo opozitë, në krijimin apo rrëzimin e qeverive, janë shpesh ekuacione puro matematike në dëm të bindjeve të votuesve dhe pritjeve të qytetarëve nga lidershipi politik. Zgjedhjet ishin këmbanë për ndryshim, apo dhënien fund kësaj qasje të kotë. Tani është koha që ata që mbijetuan dhe nuk e panë fundin sot, do të duhej kuptuar që nesër mund t’i kujtojmë si kamikazët e profileve të tyre, veçmas për faktin se turren apo kapen pas timonit të qeverisë. Kjo nuk ka të bëjë me numrat a krijimin e institucioneve, por me vendosjen e standardeve të reja në politikë.

Ecja ndryshe

Ecja sfilitëse është ajo çfarë po na prezantohet këto ditë, por kësaj ecje nuk duhet dhënë rasti sot. Sidoqoftë që t’i shmangemi kësaj ecje, kërkohet pjekuri, sakrificë dhe vetëmohim. Para së gjithash, në njërën anë kërkohet që humbësit e zgjedhjeve në nivel indivudual, në nivel subjekti a konstelacionesh, të mos sillen si fitues, po ashtu kërkohet që humbësit e mëdhenj të lëshojnë pe, të lëshojnë rrugë. Në anën tjetër, pretenduesit e fitores, fitores së madhe apo të vogël, shkofshin në qeveri apo mbetshin në opozitë, duhet ta kuptojnë që jetojmë në pluralizëm, në një sistem politik parlamentar, dhe në një kulturë politike demokratike në formësim. Mandatet u janë dhënë për shtet, zhvillim, demokratizim dhe jo për fatin vetanak. Për shtetin, heronjtë bëjnë gjerat për të cilat nuk i’u duhet as nuk kërkojnë përkrahje, ndërsa liderët bëjnë vetëm gjërat që varen kryekëput nga përkrahja e vazhdueshme e secilit prej nesh. Meqë Kosova ka heronjtë e saj, asaj sot i duhen liderë që ngritën mbi personalen, sepse para vetes dhe caqeve të tyre vetanake, liderët e vërtetë pritet të përfaqësojnë interesat publike dhe qytetare në politikë. Në këto rrethana, veçmas me luhatjet që kanë prodhuar rezultatet zgjedhore, ata që duan të konfirmohen dhe sillen si liderë të vërtetë, duhet ta dinë dhe ta pranojnë që jemi në një situatë kur Kosova nuk guxon të dinamizojë një cikël të refuzimit të të vërtetave, jo atyre absolute, por atyre të përditshme mbi të cilat funksionin demokracia, sikurse rregullat e lojës, vullneti i shumicës, hapësira për jo shumicat, nevoja për zgjidhje dhe jo për bllokada e rrëmujë. Sot kemi një situatë kur kemi një fitues të numrave, një fitues të legjitimitetit, dhe një lojtar në udhëkryq. Numrat pa legjitimitet nuk kanë vlerë, legjitimiteti pa numra nuk vie në jetë, përderisa lojtari në udhëkryq duhet t’i përmbahet kahjes politike konstruktive, asaj e cila do ta disiplinonte skenën, dhe do t’i shpolarizonte fituesit e numrave, a legjitimitetit.

Një shteg për shtet

Nëse nisemi nga fakti që një qeveri e ndërtuar mbi një klimë tensionesh, pasigurish, dhe presioni numrash, do të merrej më shumë me administrimin dhe menaxhimin përkrahjes ndaj saj, se sa me qeverisjen e vendit, atëherë më e çmuara që do humbim është koha që nuk kthehet dot. Që të shmanget kjo, vendit i duhet një qeveri/sje si rezultat i një procesi sipas të cilit partitë politike dakordohen të definojnë prioritetet dhe interesat e vendit, sikurse mund të jenë liberalizimi, ushtria, dialogu, subjektiviteti ndërkombëtar. Asnjë shumicë qeverisëse nuk mund t’u jap epilog këtyre temave pa një marrëdhënie normale dhe konstruktive me opozitë, dhe anasjelltas. Në këto rrethana, më i rëndësishëm se sa fakti se kush i bën numrat, është fakti se çfarë do të shtyhet me ata numra në qeveri e qeverisje. Këtu 61-shi, 73-shi, 81-shi e 90-shi, varen dhe determinohen nga klima politike, në të kundërtën secili numër mund të reflektojë krizë.

Më shumë se asnjëherë është bërë e domosdoshme që lidershipi i partive politike të ulet dhe të krijojë një agjendë nacionale rreth disa temave. Krijimit të qeverisë dhe institucioneve duhet t’i paraprijë apo ta shoqërojë dakordimi rreth agjendes, parimeve, hapave dhe hapësirës kohore, të cilat partitë, blloqet politike, pajtohen se do t’i ndjekin pavarësisht se a janë në qeveri apo opozitë. Ikja nga kjo qasje për të ardhmen e vendit është një lloj yryshi pas pushtetit. Nëse asgjë, blloqet minimalisht duhet të pajtohen që nuk do të lejojnë listën serbe që në këmbim me votën, ta negociojë apo tregtojë pozitën e saj në institucione dhe në temat e mëdha. Pastaj qeverinë le ta bëjë kush të mundet, kur të mundet, me kë të dojë. Nëse kjo nuk ndodh, lodhja dhe kushtëzimi është fati ynë, dhe ndërkombëtarët do të shihen në skenë. Kësisoj legjitimiteti i zgjedhjeve dhe i një shoqërie a shteti funksional, në çka betohemi e pretendojmë, do të shkojnë për uthulla edhe për një kohë, përderisa elektorati i partive politike do të bashkëudhtojë me qeveri dhe institucione rrëshqitëse mbi numra rrëshqitës./sbunker.net/