Rrënohen kioskat që përdoreshin nga narkomanët e Prishtinës

Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, ka vazhduar me rrënimin e objekteve. Kësaj radhe nuk bëhet fjalë për objektet pa leje, por për disa kioska të braktisura në Bregun e Diellit në rrugën B, që mendohet se janë përdorur nga narkomanë dhe keqbërës të ndryshëm.

Lajme

24/12/2014 17:35

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sveçla tha se pjesa në të cilën kanë qenë të vendosura këto kioska të shumta do të gjelbërohet.

“Me vendim të Drejtorisë së Inspektoratit sot po bëhet zhbllokimi i kioskave në ish-tregun në rrugën B, si dhe rrënimi i objekteve të përkohshme të vendosura në hapësirë publike. Po bëhet dislokimi i objekteve montazh si dhe rrënimi i objekteve të përkohshme në tokën publike, tokë e cila do të gjelbërohet dhe do t’iu kthehet banorëve të lagjes. Ka pasur ankesa të vazhdueshme se kjo hapësirë është keqpërdorur prej përdoruesve të drogës, prej keqbërësve të ndryshëm. Ne realisht, me këtë aksion po u përgjigjemi kërkesave të banorëve”, është shprehur Sveçla për KosovaPress.

Përderisa rrënimet po vazhdojnë në rrugën “Agim Ramadani”, në lagjen Aktash, përkatësisht në ndërtesat e kësaj lagjeje, të gjitha bodrumet janë të mbushura me ujë, i cili kundërmon një erë shumë të rëndë. Madje edhe shumë kanalizime janë bllokuar dhe kjo ka ndodhur si pasojë e dështimit të rrjetit të kanalizimit.

Lidhur me këtë Sveçla tha se të gjitha kanalizimet e ndërtesave të lagjes që janë mbi ndërtesat në rrugën “Agim Ramadani” po derdhen në bodrume.

“Në bazë të ankesave të qytetarëve ne kemi ardhur në inspektim dhe kemi parë një gjendje të tmerrshme, ku të gjitha bodrumet e kësaj ndërtese janë të mbushur me fekale. Pra, si duket ka dështuar komplet rrjeti i kanalizimit këtu dhe kanalizimet e lagjes mbi këtë ndërtesë po derdhen në bodrum dhe pastaj përmes një rrjeti alternativ po dalin në hapësirë”, ka thënë ai.

Ai tha se kanë mobilizuar gjithë Ujësjellësin në mënyrë që ta zgjidhin problemin e shfaqur, i cili është cilësuar emergjent, dhe më pastaj të veprojnë edhe me zgjidhje të përhershme për pjesën e cila është bllokuar.

Sveçla pohoi se si duket problemi me rrjetin e kanalizimit është prej para shumë muajsh, duke shtuar se era kundërmuese në ndërtesa paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e banorëve, transmeton KosovaPress.