Rrënimi i objekteve pa leje do të vazhdojë

Komuna e Prishtinës shprehet e vendosur për të rrënuar objektet pa leje të ndërtuara pas datës 25 gusht në Prishtinë. Drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu, thotë se do të ketë një fushatë informuese për t’i udhëzuar qytetarë si të aplikojnë për legalizim.

Lajme

20/01/2014 09:59

Udhëheqja e re e Komunës së Prishtinës shprehet e vendosur për të rrënuar objektet pa leje të ndërtuara në Prishtinë pas datës 25 gusht.

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, thotë se ka qindra e qindra objekte pa leje të ndërtuara pas vitit 2010, për të cilat ka pasur vendim për rrënim, e nuk janë rrënuar nga udhëheqja e mëparshme e komunës.

Aliu tha në Programin e Mëngjesit në RTK se ato tani ato objekte i ka zënë data 25 gusht e vitit 2013 dhe duhet të jenë subjekt i legalizimit.

“Ka shumë objekte për të cilat ka vendime për rrënim, ka shumë vendime për rrënim të cilat janë të hershme dhe të cilat data 25 gusht e vitit 2013 i ka zënë dhe tani ato do të jenë subjekt i legalizimit”.

“Janë me qindra e qindra objekte të cilat janë ndërtuar pa leje pas një vendimi në vitin 2010 të Komunës së Prishtinës”.

“Komuna e Prishtinës në vitin 2010 ka miratuar një rregullore për legalizim për trajtim të ndërtesave pa leje, prej atij vendimi janë qindra e qindra objekte pas asaj dite që janë ndërtuar  pa leje dhe nuk janë rrënuar”.

Drejtori i Urbanizmit paralajmëron edhe një fushatë informuese për qytetarët, përmes së cilës do t’u bëhet thirrje atyre që të aplikojnë për legalizimin e objekteve të tyre.

“Do të bëhen fushata informuese, të kërkohet nga qytetarët që të aplikojnë sepse, po nuk aplikuan atëherë automatikisht me ligj objektet që ata posedojnë do të futen në listën e rrënimeve, dhe ne do t’i inkurajojmë sa më shumë që të aplikojnë që të trajtohen. Ky ligj do t’i përfshijë edhe zonat rurale”.

“Në momentin që arrihet të legalizohet një apartament brenda një ndërtese, nuk do të thotë që legalizohen të tjerat. Ato nuk do të jenë legale, nuk do të kenë mundësinë të vazhdojnë si pronë por parandalohet mundësia që ai objekt të futet në listën e ndërtimit”.

“Do të synojmë që të ndodhë revidimi në momentet kur shohim që kemi numër enorm të ankesave të qytetarëve”.

“Më duhet t’ju them se gjatë ditëve kur i kam pritur palët në takim, kam parë se është një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve që kanë ankesa. Unë i kam takuar personalisht, ankesat janë kryesisht nga planet rregullative ku pronën e tyre nuk janë të trajtuar drejtë. Ankesat e kësaj natyre dhe trajtimi i tyre mund të sjellë deri te nevoja e domosdoshme që këto plane rregullative të revidohen”.

“Prandaj, unë qysh tash ju bëj thirrje qytetarëve që të ankohen sa më shumë dhe të vijnë të shfaqin brengën e tyre që e kanë sepse do t’i dëgjojmë dhe do të ulemi me ta një për një me secilin që të flasim për këto probleme. Sepse, duhet të shikohen kur janë bërë këto plane rregullative a janë bërë në favor të dikujt dhe a kanë synuar dikë tjetër. Pra a është trajtuar qytetari drejtë”.

Ali tha se menjëherë pas marrjes së detyrës ka bërë riorganizimin e punës në drejtorinë  e tij, duke hapur edhe një zyre të pranimit të dokumenteve me persona të kualifikuar që do t’i udhëzojnë palët si të veprojnë.

“Një ndër hapat e parë që kemi marrë në drejtori ka qenë organizimi i një zyrës së pranimit të dokumentacionit, pra, jo thjeshtë një administrator, por të jenë persona profesional që i trajtojnë lëndët që në fillim dhe palën qartë e udhëzojnë në mënyrë që kur të vije lënda, kur të futet brenda drejtorisë në trajtim, ajo të jetë e trajtuar dhe të mos kthehet pala për një dokument”.