Rrëmbeu një grua, Apeli i cakton vetëm arrest shtëpiak

Gjykata e Apelit në Prishtinë i ka ndërprerë masën e paraburgimit të dyshuarit për veprën penale Rrëmbim.

Lajme

05/07/2018 21:16

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda me datën 27 qershor të këtij viti kishte vendosur që ndaj të dyshuarit Sefer Dubovci të caktohej masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji kjo për shkak të dyshimit të bazuar mirë që ai e kishte kryer veprën penale të rrëmbimit.

Kundër këtij aktvendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë në afatin ligjor kishte ushtruar ankesë, mbrojtësi i të akuzuarit Sefer Dubovci, avokati Gazmend Halilaj.

Halilaj pranë Gjykatës së Apelit kishte ushtruar ankesë kundër aktvendimit të shkallës së parë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të Procedurës Penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Avokati Gazmend Halilaj i kishte propozuar Gjykatës së shkallës së dytë që ta aprovonte ankesën e tij në atë mënyrë që Gjykata e Apelit të e ndryshonte aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe të mbrojturit të tij të ja zëvendësonte masën e paraburgimit me masën e lajmërimit në stacion policor apo në të kundërtën lëndën ta kthente në rivendosje.

Ndërsa Prokuroria e Apelit  kishte kërkuar që ankesa e avokatit të konsiderohej si e pabazuar dhe aktvendimi i Themelores të mbetej në fuqi.

Por pas shqyrtimit të ankesës, Gjykata e Apelit kishte gjetur se pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit Sefer Dubovci, avokatit Gazmend Halilaj janë të bazuara.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se pasi që të pandehurit i dihet identiteti, i njëjti ka vendbanim të përhershëm me adresë të njohur për Gjykatën dhe pasi që ai është lajmëruar në polici dhe nuk shihet se është i dënuar më parë për ndonjë vepër tjetër penale po ashtu nuk ka rrethana të tjera të posaçme që arsyetojnë frikën e bazuar se me ndodhjen e tij në arrest shtëpiak, i njëjti mund të ik apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale apo ta përsëris veprën penale, Gjykata ka vlerësuar se edhe masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e ikjes, të ndikimit në rrjedhën normale të Procedurës Penale dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.

Me datën 19 qershor Policia e Kosovës ka shoqëruar dy persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të shtrëngimit.

Me datën 18.06.2018 rreth orës 01:00, Policia e Kosovës kishte pranuar informatën se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, nga dy  persona të dyshuar, një femër ishte futur me forcë në një  veturë të tipit  “Golf 4”dhe pastaj personat ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Njësitet policore pas grumbullimit të informacioneve të marra si dhe pas zgjerimit të hetimit, kishin arritur që të identifikonin viktimën si dhe kishin shoqëruar në stacion policor dy personat e dyshuar S.D dhe E.A. /Kallxo.com