Rrëmben ish të dashurën me dhunë, pasi ajo e refuzonte

Një 21-vjeçar nga Durrësi është vënë në prangat e policisë pasi kishte rrëmbyer me dhunë ish-dashurën e tij. Kristi Dako, 21 vjeç, banues në Tiranë, nuk e pranonte dot faktin që vajza të cilën dashuronte, nuk donte të rrinte më me të. Kështu i ndihmuar nga një shoku i tij, vendosi që vajzën ta merrte me forcë dhe në këtë mënyrë të tentonte që ta bënte sërish për vete.

Lajme

05/10/2015 19:34

Por ai nuk ja arriti qëllimit, përkundrazi, 21- vjeçari Kristi Dako u arrestua ditën e diel nga policia e Durrësit, ndërsa u shpall në kërkim shoku i tij A.H., 21 vjeç.

Sipas burimeve të policisë, ngjarja ndodhi paraditen e ditës së diel në lagjen nr.6 në Durrës, ku dy të rinjtë 21-vjeçarë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin goditur dhe kishin marrë me forcë në makinë 20-vjeçaren K.A., banuese në Tiranë, me pretendimin se Kristi Dako e ka patur më parë të dashur.

Mësohet se dy të rinjtë e kanë ndjekur vajzën dhe më pas, pasi ajo kishte refuzuar, Dako e kishte qëlluar me shpulla duke e futur me forcë në automjet. Pak kohë pas rrëmbimit, e reja është lënë e lirë dhe aktualisht ndodhet në banesë.

Pas tronditjes së pësuar dhe dhunës së ushtruar ndaj saj, e reja i është drejtuar policisë për të bërë denoncimin, duke çuar në prangosjen e ish-të dashurit.

Kristi Dako dhe shoku i tij i shpallur në kërkim akuzohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Materialet i kanë kaluar prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje./Shekulli