Rregullat e arta të shtrimit të tavolinës, ja gabimet që duhen shmangur me raste festash

Ne rekomandojmë thjeshtësi, finesë dhe kombinim me natyrën, për një tavolinë që të hap oreksin pa e pare ende ç’do të serviret në të. Mbulesa e thjeshtë dhe me ngjyra të hapura ju jep mundësinë të luani me aksesorët që do të përbëjnë tavolinën tuaj.

Fun

09/01/2018 10:02

Tavolinë e thjeshtë, me pak aksesorë por që duket e kuruar deri në detaj. Kjo është ajo që mund të bëni edhe në shtëpitë tuaja, qoftë për ditët e zymta me shi, qoftë për një mbrëmje me miq të veçantë. Vetëm kujdes në renditjen e aksesoreve, pjata kryesore mbajtëse duhet të jetë e diametrit 30-32 cm ku më pas do të vendosen të gjitha pjatat e tjera që do të serviren. Thika me tehun e drejtuar nga pjata duhet të vendoset në të djathtë, e ndjekur më pas nga luga. Në drejtim të majës së thikës do të vendosen gotat dhe në të majtë piruni. Zakonisht piruni i ëmbëlsirës dhe luga e vogël vendosen sipër pjatës.
Pecetat… a dini se janë ato që tërheqin vëmendjen të parat dhe japin mirëseardhjen në tavoline? Prandaj ju themi: “Luani me fantazinë tuaj”. Nëse keni unaza pecetash mund të formoni me to lule ose figura të tjera shumë tërheqëse, ose mund t’i lidhni me fije kashte dhe të vendosni lule natyrale mbi to, ose t’i palosni në formë xhepi dhe setin e lugëve ta vendosni aty, ose… ka shumë mënyra, po këtë po jua lëmë juve ta krijoni sipas dëshirës.
E pra, jo vetëm ushqimi është i rëndësishëm, por edhe mënyra sesi do të shtrohet tavolina dhe aq më tepër aksesorët që përdoren në të janë shumë të rëndësishëm. Përdorni “Villeroy&Boch” dhe keni për ta parë sa do t’ju shijojë. Më në fund është koha të bëni një darkë formale në shtëpinë tuaj, por në fakt, jeni në dilemë sepse nuk e keni idenë si ta realizoni. Duhet të mendoni për shumë detaje përpara se të merrni një iniciativë të tillë. Pikësëpari, duhet të keni një tavolinë të madhe, e cila u lejon të ftuarve të kenë një hapësirë komode për të qëndruar: Në asnjë mënyrë ata nuk duhet të ndihen në siklet. Nëse keni menduar të vendosni një mbulesë të punuar me dorë, atëherë kujdesuni që ajo të mos jetë shumë e madhe, por aq sa madhësia e saj të tërheqë vëmendjen e të ftuarve. Përpiquni që ajo të jetë e vogël në përmasa, por shumë e veçantë. Kujtohuni që ta mbani atmosferën në dhomë në një temperaturë të tillë që t’u ofrojë të ftuarve qëndrim të këndshëm e të rehatshëm. Nëse vendosni të keni muzikë në sfond, atëherë përzgjidheni atë me shumë kujdes, të jetë e qetë e me zë të ulët dhe jo stresuese për të ftuarit.
Së dyti, kur të filloni me pajisjet e nevojshme në tavolinë kujdesuni që pirunët të jenë afër pjatës, në të majtë të saj. Më pas, vendosni thikën në të djathtë të pjatës, të ndjekur nga luga që përdoret për sallatën dhe përpara pjatës vendosni lugën e supës.
Gotat me fron duhen vendosur në cepin e djathtë të pjatës dhe renditen si më poshtë:
Gota e verës së kuqe vendoset përpara majës së thikës, ndërsa përballë saj, në të majtë, vendoset gota e ujit dhe në fund, gota e verës së bardhë vendoset në të djathtë të gotës së ujit. Por vendosja e gotave varet edhe nga lloji i tryezës që shtroni, ashtu sikurse varet edhe vendosja e pecetave në tavolinë. Mund të zgjidhni t’i vendosni ato në të majtë të pirunëve, por mund t’i vendosni edhe përpara pjatës që keni vendosur në tavolinë. Nëse do të vendosni pjata buke apo gjalpi, atëherë pozicionojini ato në të majtë të pjatës, para pirunëve. Gjithashtu, vendosini thikat e bukës dhe gjalpit në mes të pjatave të tyre përkatëse. Përpara pjatës së ushqimit mund të vendosni gjithashtu edhe pirunë apo lugë për ëmbëlsirën.