Rrëfimi unik i yllit të Kosovës

Besar Halimi është njëri nga talentet më të mëdhenj që ka Përfaqësuesja e Kosovës.

Sport

16/04/2018 15:32

Gjilanasi fillimisht nuk u ftua për disa ndeshje në Përfaqësuese, por ndërkohë filloi të luante rregullisht te Brondby në Danimarkë.

Shkëlqimi në futbollin danez bëri që Halimi të ftohej edhe në Përfaqësuesen e Kosovës ku tregoi se meritonte edhe më herët ftesën, shkruan Telegrafi.

Ai pasi luajti ndeshjet e fundit kualifikuese, ishte titullar në miqësoren e nëntorit ku shënoi golin vendimtar përballë Letonisë në fitoren 4-3.

Në një intervistë për Goal.com versionin gjermanisht, Halimi flet për karrierën e tij, Përfaqësuesen e Kosovës, mikun e tij të ngushtë Emre Can dhe të ardhmen.

“Trajneri Alexander Zorniger ishte një nga arsyet kryesore për të ardhur unë tek Brondby. Brondby më ka dhënë mundësinë për të luftuar për titull të kampionit”, u shpreh Halimi.

Gjilanasi për herë të parë në karrierën e tij luajti jashtë Gjermanisë dhe është befasuar me pritjen që iu është bërë në Danimarkë.

“Nuk jam i befasuar me lojën time pasi e di se çfarë mund të bëj në ndeshje dhe besoj në lojën time”.

“Brondby është stacioni i parë për mua jashtë Gjermanisë, kësisoj që mu desh të adaptohem në fillim. Njerëzit në Danimarkë më kanë bërë më të lehtë këtë zgjedhje, pasi kuptova që kam ardhur te një klub i madh me struktura të mira”, vazhdoi tutje mesfushori ofensivë.

Halimi flet edhe për tifozët e Brondbyt që njihen si më të mirët dhe më të zhurmshmit në Danimarkë.

“Tifozët tanë janë të mrekullueshëm, nëse luajmë në shtëpi ose jashtë nuk ka rëndësi, ata gjithmonë janë afër nesh”.

“Në një takim fituam pas një kohe të gjatë në derbi ndaj Copenhagen si mysafirë dhe u rikthyem në stadiumin tonë duke festuar me 3000 tifozë që kishin ardhur për të na pritur. Ishte përvojë fantastike”.

23-vjeçari shpreson që në fund ta festojë titullin e kampionit me Brondbyn.