Rrëfimi prekës i mjekut kosovar që i është bashkuar luftës kundër Ebolas

Epidemiologu kosovar, doktor Lul Raka, ka disa javë që vullnetarisht i është bashkuar luftës kundër virusit vdekjeprurës të quajtur Ebola, në përpjekje për të shpëtuar jetët, që prej shkurtit ky virus ua ka marrë më shumë se 2000 afrikanëve.

Lajme

24/09/2014 13:47

Doktor Raka, në profilin e tij në Facebook, ka shkrua se ndodhet “në vijën e parë të fronit”, në Qendrën e Trajtimit të Ebolës, ELwA II, në Monrovia të Liberisë, njëriit ndër shtetet afrikano perëndimore më të prekura nga ky virus.

Raka në profilin e tij ka përshkruar edhe nj histori prekëse që ka përjetuar këto ditë, në mesin e shumë të tjerave, në luftën kundër sëmundjes që Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur në fillim të këtij muaji si “emergjencë ndërkombëtare”.   

“Njëra nga tre qendrat në kryeqytet me 40 shtretër dhe 72 pacientë. Të gjitha spitalet në kryeqytet (përfshirë edhe atë të kujdesit terciar) janë mbyllur nga frika e punëtorëve shëndetësorë vendorë (86 raste të vdekjes në mesin e tyre)”, shkruan Raka në Facebook.

“Heroi i qendrës është një fëmijë katër muajsh, i quajtur Natanian. Fillimisht babai i vdiq nga Ebola, kurse para 14 ditësh e gjetën në repart duke thithur gjirin e nënës së tij të sëmurë, e cila kishte ndërruar jetë. Farefisi dhe qendra e bonjakëve nuk e kanë pranuar për mbikqyrje për shkak të frikës se mund të jetë i infektuar. Analiza e fundit e Ebolës e bërë para tre ditëve i ka dalë negative. Stafi i mrekullueshëm shëndetësor kujdeset për të. Duke pritur dhe lutur edhe shtatë ditë që ta kalojë rrezikun e sëmundjes!”, ka shkruar epidemiologu kosovar, i cili me pjesëmarrjen e tij në një formë a tjetër po përfaqëson edhe Kosovën në luftë kundër kësaj sëmundje.

Dhjetë ditë më parë, presidenti amerikan, Barack Obama, shpalli strategjinë e shteteve të Bashkuara për të luftuar virusin Ebola, duke iu përgjigjur pozitivisht shqetësimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Duke vënë në dispozicion rreth shtatë miliradë dollarë dhe staf mjekësorë dhe ushtarakë, presidenti Obama u bëri thirrje vendeve të mbarë botës t’i bashkohen luftës kundër virusit vdekjeprurës.