Rrëfimi për incidentin në Skënderaj

Policia thotë se Gani Geci dyshohet ta ketë sulmuar fizikisht Deputetin Azem Syla. Versionet të ndryshme për ngjarjen në Skënderaj janë dhënë gjatë ditës nga Gani Geci dhe Gani Koci.

Lajme

28/10/2013 20:12

Pasi ka përfunduar një tubim zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës, në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, që konsiderohet bastioni i saj kryesor elektoral, është shënuar një incident, pak metra më tutje, në rrugën “Ahmet Delija”.

Policia e Kosovës, në një komunikatë të lëshuar, thotë se dyshohet se kishte “një të shtënë me armë në ajër” dhe kishte pranuar një thirrje për “rrahje në progres”.

“Me 28 tetor 2013, rreth orës 13:20 në Sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj ka filluar të mbahet tubimi përmbyllës i fushatës parazgjedhore i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili tubim ka përfunduar rreth orës 13:45, pa asnjë incident”.

“Rreth orës 13:55, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në rrugën ‘Ahmet Delija’ të Skenderajt, ka ndodhur një  rrahje në progres, ku sipas informacioneve të para dyshohet se është sulmuar fizikisht Deputeti i PDK’së, Azem Syla dhe Adnan Koci, truproje i Deputetit Gani Koci”.

“Nga informacionet e deritanishme dyshohet se personat e dyshuar janë Gani Geci me disa anëtarë të familjes së tij, ku njëri prej tyre dyshohet se ka mbajtur armë në dorë”.

Policia thotë se bazuar në hetimet fillestare dyshohet se në vendngjarje ka ndodhur një e shtënë në ajër me armë zjarri, ndërsa mbetet të hetohen të gjitha rrethanat e mundshme të këtij rasti.

“Sipas informacioneve te deritanishme nga tereni nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar apo të plagosur”.

“Njësitet relevante policore kanë reaguar me urgjencë në vendngjarje dhe kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll, ku gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës së zjarrit”.

“Për të gjitha veprimet policore është informuar prokurori përkatës dhe për informacione të mëtutjeshme do të ju mbajmë të informuar”.

Dy versione tjera i kanë dhënë për lajmi.net palët e përfshira në incident.

Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, që ishte në shoqërim të deputetit Azem Syla në çastet kur ka ndodhur incidenti, ka thënë se Azem Syla është sulmuar me armë nga Gani Geci.

Zyrtari i lartë i PDK’së, nga stacioni policor, ku ishte duke dhënë deklaratë, mohoi për lajmi.net të ketë pasur ndonjë konflikt verbal paraprakisht.

“Ka qenë një tentim i Gani Gecit, por që fatmirësisht ka përfunduar pa pasoja”, ka thënë Koci.

“Nuk ka pasur asnjë konflikt verbal mes tyre”.

“Ne kemi qenë rrugës, kur ka ndodhur sulmi. Sulmi ka ndodhur befasisht dhe nuk ka pasur pasoja”.

Gani Geci, ndërkaq, mohon të ketë sulmuar me armë Deputetin Azem Syla.

Ai thotë se nuk ka pasur sulm të armatosur e as shkëmbim zjarri.

Geci jep në lajmi.net versionin e tij për ngjarjen.

“Absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me të shtënat”.

“Unë isha ulur para lokaleve të mia në Skenderaj vetë i 15’ti kur përfundoi fushata e PDK’së. Në ndërkohë andej erdhi eskorta me njerëzit e PDK’së, në këmbë. Njëri prej tyre na ka fyer dhe na ka sharë. Pastaj unë nxora një revole jo reale”.

I pyetur nga lajmi.net që ta shpjegojë “revolen jo reale”, Geci shtoi:

“E kam një revole të metaltë por jo reale, që e mbaj kohëve të fundit. Më shumë si shkrepës. Nuk ka kurrfarë efekti”.

“Pas provokimit unë e kam nxjerr atë dhe ata kanë ikur. Tek atëherë e kam parë Azem Sylën duke ikur deri tek cerphajna, Tjegullorja.”

“Pastaj një truproje i Gani Gocit me emrin Adnan Koci ka shtënë në ajër”.

“Këta djemtë që ishin me mua ia kanë marrë atij revolen dhe ia kanë kthyer pastaj”.

“Ata na kanë provokuar dhe na kanë sharë”.

Gani Geci thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë me policinë për ngjarjen e sotme.