Rrëfimi imagjinar për realitetin kosovar

Shumë, tepër shumë është që 15 vjet më pas, shumica dërrmuese e temave që mbizotërojnë politikën kosovare kanë rrënjët e tyre në vitet e luftës.

Opinion

09/04/2014 15:21

Të paramendojmë kështu.

Një kosovar, pas një aksidenti të rëndë trafiku, në vitin 2004, bie në komë.

Çudia ndodhë pas dhjetë vitesh. Ai zgjohet në spital. E gjithë familja është dëshmitare e një mrekullie.

Pas pak ditësh, kosovari i zgjuar, shkon në shtëpi dhe nisë të kthehet në jetë. Midis tjerash, nisë të përcjellë mediat, gazetat, televizionet.

Kupton, kështu, që ende në Kosovë kthehen kufomat e viktimave të luftës së viteve 1998, 1999. Që tutje mbahen përkujtimet për të rënët, për dëshmorët dhe martirët e kësaj lufte. Që tema e trajtimit të veteranëve të luftës ende është në rend të ditës.

Që akoma po vazhdon beteja e njohur politike në mes të UÇK-së dhe FARK-ut për atë se kush çfarë ka bërë gjatë luftës në Kosovë.

Që ende vazdon trajtimi gjyqësor i luftës së Kosovës, madje, që pritet të krijohet së shpejti, një Gjykatë Speciale Ndërkombëtare.

Pastaj, ky kosovari i këndellur, dëgjon rrëfimet e shumta për perspektivën evropiane të Kosovës, për mundësinë që qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa Viza Schengen, por pa datë të caktuar se kur kjo do të ndodhë.

Ky qytetar i Kosovës pastaj sheh se si përditë po ndodhë zotimi dhe përkushtimi i politikës së Kosovës për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ai merr vesh që këndejpari, sërish po flitet për Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, për ditën kur do të mbahen zgjedhjet e reja.

Ai kupton që në Veri të Kosovës ka incidente të rënda.

Më në fund, ai i ka gjetë familjarët e vet me ankesat e rëndomta për problemet e shumta sociale dhe ekonomike. Papunësia dhe varfëria janë nocionet që mbizotërojnë sa herë të flitet për temat sociale në vend.

Dhe kështu me radhë.

Përshtypjet e tija për Kosovën e pranverës së vitit 2014, mund të vazhdojnë, mbase, pa fund.

Në fund ai detyrohet tu thotë familjarëve të tij: Pos që Kosova qenka bërë shtet, pos që Presidenti Rugova nuk qenka gjallë, pos që qenkeni plakë të gjithë nga pak, dhe pos që i paskët ndërruar serialet latino-amerikane me ato turke, çka keni ndryshuar diçka tjetër në ndërkohë?

Nuk paskam humbur gjë në këto dhjetë vitet e kaluara që kam qenë në gjumë. Mos e kam gabim?

Familjarët e këtij qytetari, këqyrin njeri-tjetrin në çudi.

Është dashtë të vi tek ta dikush prej një ‘Bote tjetër’, për të ju treguar se ku janë.

Apo, se ku është shoqëria kosovare.

Vështirë është të mohohet ky vlerësim.

Për decenie me radhë, Kosova është ndjekë, si humbëse, për shkaqe të njohura (pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 1912), nga Historia. Brenda saj pra, shqiptarët e Kosovës ishin cerifikuar si të dështuar, sepse nuk arritën të sendërtojnë vullnetin e tyre politik. Por ja që Historia vazhdon të na ndjekë, njësoj madje, edhe pas vitit 1999, kur shqiptarët e Kosovës, me të drejtë, zhvlerësuan atë certifikatën e disfatës, për ta marrë, në shkurtin e vitit 2008, dokumentin valid të bërjes së shtetit të Kosovës.

Shumë, tepër shumë është që 15 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, shumica dërrmuese e temave që mbizotërojnë në politikën kosovare kanë rrënjët e tyre, në një mënyrë apo tjetrën, në vitet e luftës.

Pak, fare pak politika dhe shoqëria kosovare mirren sot me temat dhe problemet, adresimi, trajtimi dhe zgjidhja e të të cilave njeh tiparin e domosdoshmërisë, nëse njëmend synojmë që Kosova të bëhet shtet stabil, i cili brenda dhjetë vitesh, më së shumti, do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, shtet, i cili, brenda disa vitesh, do të gjenerojë stabilitet të brendshëm social dhe ekonomik.

Mund së bashku t’i këqyrim lajmet televizive sonte, por edhe ditëve të radhës. Dihet se çka mbizotëron në to.

Gjendja e jonë, si shoqëri, si vend, si politikë, ka nisë t’i ngjajë në masë të madhe këtij personazhi të imagjinuar nga fillimi i këtij shkrimi, i cili i ka kaluar në komë dhjetë vjetë të plota.

Por për dallim prej tij, zgjimi i jonë i njëmendtë, nuk është mrekulli mjekësore, por bën pjesë në ato çuditë politike që aktualisht janë fantastikë shkencore.

Kështu duket.

Ky opinion është shkruar enkas për lajmi.net