Rrëfimi i Rufat Shkretës për rrugëtimin e tij nga Shtërpca për në Evropë

Rufat Shkreta është një nga shumë qytetarë të Kosovës që e kanë marrë rrugën e perëndimit për një jetë më të mirë se ajo që e kanë këtu, por pas asaj që ka përjetuar është bërë pishman.

Lajme

16/12/2014 23:29

Shkreta ka vendosur që të flasë hapur për emisionin Interaktiv të KTV-së për peripecitë e tij të udhëtimit nga Shtërpca në Beograd, nga Beogradi në Suboticë, nga Subotica në Hungari e tutje.

Lexojeni një pjesë të rrëfimit të Rufat Shkretës:

“Unë jam Rufat Shkreta nga Hani i Elezit, në një fshat të Hanit të Elezit. Nga 2009 deri më 2014 kam punuar në Komunën e Hanit të Elezit. Që nga muaji shkurt jam i papunë dhe arsyeja kryesore pse kam vendosur të largohem nga Kosova është papunësia. Kam aplikuar në shumë institucione e në biznese të ndryshme, por është problem të gjesh punë tek ne”.

“Kam dëgjuar nga njerëzit më herët se nuk është vështirë të dalësh nga këtu, me një letërnjoftim dhe me pak të holla, në kufirin Serbi – Hungari. Ashtu edhe vendosa. Nisa të gjeja lidhje për të kaluar kufirin Kosovë – Serbi, prandaj vendosa të shkoja në Shtërpcë nga edhe u nisa me një biletë 15 euro deri në Beograd. Kjo ka ndodhur më 4 dhjetor”.

“Policia jonë na ka këshilluar që të kthehemi e të mos shkojmë në Evropë, duke na thënë se do ta gjeni edhe më keq, por ne kemi insistuar që të vazhdojmë tutje rrugën. Asnjërin nuk na kanë kthyer, megjithëse na mbajtën rreth 1 orë në kufi”.

“Deri në Beograd nuk ka asnjë problem që të udhëtosh. Porsa të mbërrish në stacionin e autobusëve në Beograd, nisin ato lidhjet e rrjeteve mafioze të taksistëve që të kërkojnë nga 100 euro për person deri në Suboticë. Unë pata fatin të takoja të njëjtit njerëz që kemi qenë në autobus që ua kanë marrë nga 100 euro për person me taksi, ndërsa unë udhëtova me autobus nga Beogradi në Suboticë”.

Ai tregon se si grupin tjetër, që ishin nisur me taksi, e kishte ndalë policia dhe i kishte plaçkitur duke ua marrë paratë. Rufati thotë se kjo është e organizuar në mes të taksistëve dhe policisë.

Në fund, Shkreta tha se është i zhgënjyer dhe se as në Gjermani, ku ka arritur pas peripecive të përjetuara, nuk është ashtu si ka menduar. Edhe këtu nuk ka punë, duke shtuar se mezi pret që të kthehet në Kosovë. Ai gjithashtu apeloi kandidatët potencialë për të ikur nga Kosova të mos e marrin këtë rrugë, sepse ështëe kotë dhe me kosto të lartë, veçmas për ata që tentojnë të dalin me familje.