Rrëfimi i minatorëve që qëndruan tetë ditë nën dhe

Kanë kaluar 29 vite, por ende e kujtojnë si sot atë ditë. Mbi 1 mijë e 300 minatorë kishin qëndruar për tetë ditë rresht në afro 800 metra nën tokë, në horizontet e minierës së Trepçës pa ngrënë, vetëm e vetëm që të mbronin autonominë e Kosovës. Greva e minatorëve tundi edhe themelet e Jugosllavisë.

Lajme

22/02/2018 19:51

Për disa nga pjesëmarrësit, ky do të mbetet kujtim i paharruar.

Sa herë që i afrohen derës së Trepçës i kaplon emocion i njëjtë, sikur para afro tri dekadash.

“Ai kujtim nuk m’hjeket kurrë nga mendja. Sot, pas 29 vitesh kur morëm pjesë në organizim, kur i shihsha do fytyra , se disa kanë vdek; kur i shihsha ato fytyra mu duke që tash jemi duke e organizu atë grevë, atë tetë ditëshin që e kemi mbajt brenda”, tregon me plot emocion Ruzhdi Gashi për Infokusin.

Ai është njëri nga grevistët e 89-ës, njëherit Kryetar i Shoqatës së Minatorëve, Pensionistëve e Invalidëve të Republikës së Kosovës.

Greva e minatorëve të Trepçës i kishte kthyer sytë e botës nga Kosova. Të gjithë e përkrahnin grevën e tyre. Madje, thonë se kishin përkrahës edhe nga Serbia.

“Ajo grevë jo vetëm që ka marrë përkrahje nga populli në Kosovë, por ka marrë përkrahje në gjithë botën”, thotë Gashi për Infokusin.

Por, Gashi thotë se në atë kohë minatorët u tradhtuan.

Sipas tij nuk janë realizuar ato çka janë thënë, por vetëm i kanë mashtruar minatorët sepse e dinin se ishin në gjendje të vdisnin.

“Unë besoj se edhe në atë kohë i kanë tradhtu minatorët. Nuk i kanë realizu ato që i kanë thanë, i kanë mashtru minatorët se janë  kanë në gjendje për me vdekë. Të gjithë minatorët që kanë hy në zgafellë kanë qenë në gjendjen për me vdekë se ka qenë grevë urie”.

Minatorët u nxorën me dhunë nga puna

Nuk kaloi shumë kohë pas grevës dhe të gjithë grevistët u larguan nga puna. Në Trepçë nuk mbeti asnjë punëtorë.

Madje, disa nuk i shpëtuan as dajakut. U ndoqën nga miniera me dhunë.

“Pas grevës 89  të gjithë me një vendim të dhunshëm të regjimit të Sllobodan Millosheviqit të Serbisë janë largu të gjithë punëtorët. Edhe na u ka pamundësu me punu. Të gjithë punëtorët janë largu. Disa me dajak“, vazhdon Gashi rrëfimin për Infokusin.

Por, minatorët që ishin në gjendje të vdisnin urie vetëm që të mbronin autonominë e atëhershme të Kosovës, sot janë harruar e janë lënë anash nga shteti.

Për ta, sipas Gashit nuk interesohet askush, përveç në përvjetorë.

Trajtohen si gjithë të tjerët, pavarësisht kontributit që kanë dhënë.

“Nuk mundesh me mbijetu me një pension prej 105 euro. Kjo është tmerr. Tmerr!” thotë Bedri Bunjaku, nënkryetar i Shoqatës së Minatorëve, dega në Prishtinë.

Sipas tij minatorët mbeten kategoria më e nëpërkëmbur pas luftës.

Madje, deklaron se deri tash atyre u duhej edhe që të paguanin për vizita në spital. Kjo ngase nuk u njihej libreza e minatorit.

Në Shoqatën e Minatorëve Pensionist e Invalid të Republikës së Kosovës thonë se gjendja e minatorëve është e tmerrshme, ndërsa shteti është duke bërë shumë pak në këtë drejtim dhe se minatorët vazhdojnë të mbeten në gjendjen e para 29 vjetëve.

Ata kërkojnë që për të gjithë minatorët të nxirret një status i veçantë e të mos i kualifikojnë si të gjitha kategoritë e tjera të punëtorëve.

“Shteti është tu ba shumë pak për minatorët. Minatori duhet me pas një status të veçantë. Nuk duhet me u kualifiku si gjitha kategoritë e tjera të punëtorëve, të administratës e të tjerat. Mirëpo, duhet një status me nxjerrë të veçantë minatorët. Gjithë minatorët e Kosovës”, thonë në këtë shoqatë për Infokusin.

Mirëpo, edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, minatorëve ende nuk po u njohën kualifikimet e përvoja 10 vjeçare e punës. As çështjen e pensioneve të parakohshme thonë se nuk e kanë të rregulluar si duhet.

Shpresa e vetme për ta në këtë drejtim mbetet fillimi i zbatimit të Ligjit për Trepçën. Shpresojnë që me këtë ligj do të fillojnë të realizohen disa nga kërkesat e tyre.

“Nashta ishalla edhe Ligji për Trepçën kur të zbatohet edhe të hyjë në fuqi do t’i realizojë disa kërkesa e do t ‘përmirësojë kushtet e Minierës “Trepça””, shprehen të zhgënjyer grevistët e 89’ës.

Këta tre grevistë nuk kanë lënë derë pa hapur për të kërkuar që të plotësohen kërkesat e minatorëve. Në një zyre të ngushtë që është e vetmja që u është siguruar nga shteti në ndërtesën e Fakultetit të Arteve, tre grevistët e 89’ës, ditën e kalojnë duke u marrë me hallet e minatorëve.

Ata tregojnë për Infokusin se së fundi iu kanë adresuar kërkesat e minatorëve: Presidentit Hashim Thaçi, Kryeministrit Ramush Haradinaj, Kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reqicës.

Në kërkesën drejtuar krerëve institucionalë, ndër të tjera kërkohet që tu pranohet përvoja e punës për vitet 1989-1999 për të gjithë minatorët e larguar nga puna me dhunë nga regjimi i athershëm serb, të pranohen kualifikimet e larta e të mesme, si dhe pensionistët e parakohshëm të gëzojnë statusin si pensionist të rregull.

Trepça para 29 vjetësh dhe tash

“Gjendja e minierës së Trepqës tash edhe atëherë është një ndryshim shumë i madh. Atëherë ka punu shkritorja, ka punu metalurgjia, ka punu bateria e të mos flaës për minierën.

Miniera ka punu nonstop. Ka punu me tri turne . Kurse tash është një numër simbolik që punon sa me i mbrojtë e me i rujt.

Mirëpo krejt këo varen nga Ligjit për Trepqën, që është marrë vjet por ende nuk është zbatu. Nashta ishalla edhe Ligjin për Trepçën kur të zbatohet edhe të hyjë në fuqi do t’i realizojë disa kërkesa e do t ‘përmirësojë kushtet e e Minierës “Trepça”.

Nuk është vetëm miniera e Trepçës.  E kemi edhe Minierën e Kishnicës, Artanës, Miniera e Magnezitit e cila ma ajo veç u shit.

Të gjitha minierat e Kosovës nuk janë në gjendje më të mirë ,tu e përfshi edhe Trepçën”, Ruzhdi Gashi. /INFOKUSI