Rrëfimi i Gramoz Berishës për Masakrën në Suharekë

I mbijetuari i masakrës së familjes Berisha, Gramoz Berisha rrëfen për 26 marsin e vitit 1999, ku u vranë 48 anëtarët e familjes së tij. Ai kërkon që drejtësia të vihet në vend dhe shprehet i pakënaqur me Kosovën e 15 viteve pas masakrës.

Lajme

25/03/2014 20:37

Më 26 mars 1999, 48 anëtarë të familjes Berisha u vranë në Suharekë nga forcat paramilitare serbe. Njëri prej tre të mbijetuarve të kësaj masakre, Gramoz Berisha, që atë botë ishte 8 vjeç, rrëfen për ngjarjen e tmerrshme.

Në një intervistë për Info Magazinë të Klan Kosovës, Gramoz Berisha ka treguar se si ka filluar dita e kobshme e 26 marsit të vitit 1999.

“Me 26 mars 1999 ka qenë e premte kur forca të shumta të policisë kanë rrethakuar lagjen tonë dhe së pari kanë hyrë te axha edhe prej aty kanë hy në shpinë tonë, na kanë nxjerr prej shtëpisë dhe burrat i kanë ndal aty në oborr,  e ne na kanë thënë shkoni për Shqipëri”.

“Ne jemi nisur në drejtim të Qendrës Tregtare dhe aty janë dëgjuar krismat e para edhe aty i kanë pushkatuar burrat”.

“Kemi qenë të hutuar, nuk kemi guxuar të shikojmë askund, vetëm njëherë kam kthyer kokën dhe mandej kam vazhdua që të ikë”.

“Nuk kam pas kohë as me e përshëndetë”, thotë Gramozi kur pyetet se si është ndarë nga babai i tij.

Gramozi vazhdon rrëfimin e tij, duke treguar se një pjesë e madhe e familjes së tij, në tentim për të ikur nga paramilitarët kishin hyrë në një lokal, ku dhe kishte ndodhur masakra.

“Pasi kanë filluar krismat, djalin e axhës e kanë plagosur në dorë, dhe e pamë që nuk kemi kah të ja mbajmë dhe i vetmi lokal ku kemi mundur që të hyjmë ka qenë pizzeria “Kalabria”, aty ku ka ndodhur edhe masakra”.

“Në ato momente kanë ardhur edhe kushërinjtë të tjerë sepse kanë menduar se ne jemi duke shpëtuar. Mandej kanë ardhur forcat policore, kanë filluar me gjuajtje, secili jemi shtrirë nëpër qoshe të lokalit, jemi shtrirë përtokë. Unë kam qenë afër mamit, afër meje e kam pasur edhe gruan e axhës Shyhreten. E di që mami më ka mbuluar me trupin e vet. Me një moment e kam ndje që më është mpirë shpina, isha plagosur në krahë dhe kam filluar të gjakosem dhe kam pasur shumë dhimbje të mëdha”.

“Ata kanë filluar të gjuajnë deri në momentin kur nuk është dëgjuar asnjë zë. Në ato momente e kam dëgjuar gruan e axhës duke i thënë djalit të vet bëj si i vdekur pastaj edhe unë jam bërë si i vdekur”.

Më pas Gramoz Berisha thotë se forcat paramilitare kanë filluar që t’i bartin viktimat në kamion. Ai thotë se edhe kur hyri në kamion nuk kishte folur. Nëna e tij Vjollca dhe gruaja e axhës Shyhretja kishin vendosur që të kërcenin nga kamioni.

Gramozi kujton se nëna e tij, duke mos e ditur se ai ishte i gjallë, kishte dashur që ta shihte edhe njëherë fytyrën e djalit të tij. Ai tregon se kishte hapur sytë. Pas pak çastesh thotë ai, ai së bashku me gruan e axhës dhe nënën e tij kishin kërcyer nga kamioni. Ata kishin qëndruar në një fshat afër Prizrenit gjerë në mbarim të luftës.

Ndonëse trupat e pajetë të babait, vëllait dhe axhës me fëmijët i ka gjetur, Gramozi akoma nuk e di se ku është motra e tij.

E 26 marsin e vitit 1999, Gramozi e sheh çdo natë në ëndërr.

Ai në prag të 15 vjetorit të masakrës së familjes së tij ka kërkuar vetëm drejtësia të vihet në vend.