Rrëfimi i familjarëve për dy vëllezërit e vrarë në Pejë (Video)

Vëllezërit Arsim e Ramiz Berisha që u vranë në minutat e parë të ditës së sotme kishin shkuar në mal për dru.

Lajme

22/07/2017 18:58

Të afërmit e Arsim dhe Ramiz Berishës, të vrarëve në minutat e parë të ditës së sotme në malin pranë fshatit Kosuriq të Pejës, treguan se dy vëllezërit kishin shkuar në vendin ku u vranë për të prerë dru.

Muhamet Bardheci, daja i të vrarëve, tregoi për KALLXO.com vendin ku ndodhi vrasje e tyre.

“Ata janë vra qetu një mal quhet ‘Lugu i Tamnikit’, qetu po thonë, janë shkuar me marrë një kerr dru, një shoq e kishin pasë me veti, edhe ai me kali e me kerr. Ai ka shpëtuar, u ardhë i ka kallxu nanës së tyre(viktimave), se qeshtu, qeshtu na kanë gjuajt në mal. Nana e vet u shkua me një nipash temin atje (në mal) s’kanë mujt  m’i gjet kufomat deri natje hiç”,rrëfeu Bardheci.

Sipas Bardhecit, Arsimi 32 vjeçar dhe Ramizi 27 u vranë me armë automatike.

Bardheci tregoi edhe për një tragjedi tjetër që i ndodhi kësaj familjeje në vitin 2006 për një problem pronësor.

“Qetash 11 vjet ju kanë pas vra edhe dy vëllezër këtyre, me një kojshi qetu kanë pasur fjalë, po prej atëherë ma nuk kanë pasur fjalë me kërkon, as probleme me kërkon, qeshtu i kanë kqyr punët e veta”, tha Bardheci.

Ai deklaroi se për vrasjen e dy djemve tjerë të kësaj familjeje, një person është dënuar me 15 vjet burg.

Zekë Krasniqi, një i afërm tjetër i të vrarëve, vrasjen e sotme të dyfishtë e lidhi me vrasjen e djemve tjerë të familjes Berisha.

“Nuk e di saktësisht arsyen por një mund të them se kjo ka të bëjë me pak a shumë edhe me rastin e mëhershëm,të vëllezërve të tyre që ka ndodhë 11 vite me parë”, tha Krasniqi.

Ai është i bindur se personi që shkoi me dy vëllezërit në mal e di se kush i ka vrarë.

“Nuk e di emrin e tij të saktë, po unë muj me të thanë se ky njeri duhet edhe e din mirë shumë kush e ka bërë”, tha Krasniqi.

Pas vrasjes së katër djemve të familjes Berisha, në shtëpinë e tyre jeton vetëm nëna e moshuar e djemve dhe gruaja e njërit nga djemtë e vrarë.

Policia Rajonale në Pejë njoftoi sot se për këtë vrasje të dyfishtë ka arrestuar tre persona.

YouTube player