Rrëfehet Sali Berisha: Nga Tropoja në Tiranë

Ish-kryemnistri përlotet teksa flet për Kullën në fshatin Viçidol të Tropojës. “Unë kam nga të dy prindërit, më shumë mund të kem marrë nga nëna...”

Lajme

01/12/2013 09:18

I përlotur teksa flet për kullën e familjes Berisha në fshatin Viçidol të Tropojës, Berisha shprehet ende optimist se një ditë mund të ringrejë kullën e shkatërruar nga predhat e ushtrisë serbe gjatë Luftës së Kosovës. Në një intervistë dhënë gazetares Sonila Meço te ‘AGON”, ish-kryeministri rrëfen fëmijërinë e tij dhe rrugën drejt përfshirjes në politikë. Sa i përket rikthimit të tij te mjekësia, Berisha e cilëson atë tashmë një kapitull të mbyllur duke shprehur angazhimin e plotë ndaj politikës.

Rrëfimin tim dua ta nis te origjina. Lindur në 15 tetor në Viçidol në Tropojë në një zonë shumë afër kufirit. Familja është fati ynë, nuk e zgjedhim dhe fati juaj ka qenë ky. Kulla e Berishajve dhe dy Berisha. Kush janë këta dy burra z. Berisha? 

Ky është xhaxhai im, i zoti i shtëpisë dhe ky është baba im. Ramë Berisha dhe Zeqir Berisha. Ky është menaxheri dhe i zoti i shtëpisë.

Ju jeni djali i Ram Berishës dhe nënë Sheqeres. Kujt i keni ngjarë më shumë?

Unë kam nga të dy prindërit, më shumë mund të kem marrë nga nëna. E cila ka patur një shpirt punëtor të jashtëzakonshëm. Edhe baba punonte shumë. Por ajo punonte të themi nga mëngjesi deri në darkë pa një minutë pushim për të menaxhuar shtëpinë.

Mbështetje emocionale e të voglit Berisha.. 

Motra ishte 6 vjet para meje, ajo bënte gjithçka që të derdhte të gjithë dashurinë mbi mua, më ka mësuar të lexoj qysh 5 vjeç. Nuk kanë të përshkruar aktet e saj të dashurisë ndaj meje. Por në familje ajo ishte mbretëresha dhe nëna që vigjilonte me angazhimin total se mos po ndodh ndryshe dhe ndryshe nuk mund të ndodhte. Pse më ka shërbyer kjo? Për të më dhenë sensin e barazisë, shumë i domosdoshëm. E kam thënë edhe dikur, shumë vite më vonë, lexoja Frojdin. Kam qenë shumë i apasionuar pas Frojdizmit.

Leximi dhe letërsia do t’iu fusnin në dilema të mëdha. Si shpjegohet?

Të gjithë mësonim Fishtën, kushdo e donte Fishtën. Dhe unë nëpërmjet Fishtës bëhesha pjesë e odës sepse pasi bisedonin, pasi dëgjonin Eposin e Kreshnikëve me lahutë dhe pastaj ndonjëri do më thoshte, a do na e recitosh Fishtën?

Dhe bëheshe protagonist. Cilit libër i jeni rikthyer më shumë dhe që daton që nga ajo periudhë? 

Xhek London, Tolstoi dhe një gjë dua të them. Fëmijëria e hershme ndofta mund të jetë më e rëndësishmja në formimin e njeriut.

Jeni i lumtur për fëmijërinë që keni kaluar? 

Jam sepse fëmijëria ime nuk ka qenë kurrë bahçe me lule. Ka qenë me vështirësitë e veta, ka qenë me gëzimet e veta, por jam i lumtur. Domethënë sivjet lexova një libër dhe ua këshilloj të gjithëve ta lexoni. Libër i shkruajtur nga Malcom Gladwell dhe në këtë libër ku ai shqyrton se si formohen njerëzit më të shquar.

Në vitin 1958 adoleshenti Sali Berisha lë Tropojën dhe vjen në Tiranë. E vështirë përballja e parë me kryeqytetin? 

Shumë e vështirë. Imagjinoni një njeri që vjen nga një fshat i Tropojës. Të marrim ushqimin. Me një ushqim të ndryshëm si dita me natën me ushqimin e konviktit.

Ju rrinit tek Teknikumi Mjekësor te Medreseja…..?

Po, ku pothuajse çdo gjë që më servirej ishte jo familjare për mua. Mëngjeset ishin një gotë çaj me një rriskë djathë. Ky ishte mëngjesi. Dreka ishte një groshë e zier, por ishte groshë e kuqe. Groshët e Tropojës janë të shkëlqyera, nuk i kisha provuar kurrë. Këto nuk më përshtateshin kurrkund dhe darka që ishte një supë. Po supa ka historinë e vet. Vinte një supë e cila na hidhej në një pjatë alumini njëlloj si në romanet e Charl Dikens, ajo mbante erë pishë. Unë nuk arrija ta kuptoja, s’e haja sigurisht. Kur ç’ndodhi. Si nxënës bënim shërbim në mensë. Shkoj unë ditën e shërbimit shikoj kazanët. Ata hunjtë që përzienin supën kishin rrëshirë pishe. I them asaj kujdestares, ju me këto na jepni?! I mori i hoqi dhe gjeti ca shkopinj ahu.

Duke ndjekur kronologjinë e çështjeve, pas dilemave letërsi, mjekësi nëpërmjet përhumbjes në realitete virtuale, në realitete librash, Sali Berisha vendos: “Do të studioj mjekësi”. Nga lindi ky pasion për mjekësinë z.Berisha? 

I gjithë pasioni im ishte letërsia, historia, por kryesisht letërsia dhe deri vitin e tretë të fakultetit bëra përpjekje të jashtëzakonshme që të më lejohej që të vazhdoja dy fakultete. Mjekësi dhe letërsi, por pasioni i parë ishte letërsia. Kjo nuk mu lejua dhe më në fund dështova në përpjekjen time dhe pastaj i gjithë si të thuash, pasioni, mu drejtua drejt mjekësisë dhe disa shkencave të saj, si biokimia molekulare, shkencat e fizikës ose gjenetika. Të gjitha këto filluan të më tërhiqnin shumë. Dhe pastaj unë dija gjuhë të huaja, lexoja tekste në gjuhë të huaja.

 Z.Berisha, ju ka tunduar qoftë edhe njëherë të vetme rikthimi në mjekësi?

Jo. Pse? Sepse vendimi im për t’u larguar, për të bërë atë që s’kisha bërë ishte një vendim për të lërë mbrapa të sëmurin, për të lënë mbrapa studimin, për të lënë mbrapa kërkimin shkencor dhe në një farë mënyrë ndjehesha edhe pak fajtor, por i detyruar që të bëja atë veprim. Ishte për të hyrë në një proces, por ky proces shkonte duke i zverdhur gjërat që t’i kishe adhuruar aq shumë dhe kthehem tek liritë dhe të drejtat e njeriut dhe bind veten se këto janë vlerat më eprore.

Më thonë që Sali Berisha ka një dhunti të jashtëzakonshme për të dalluar verërat me varietete, me çfarë temperature mbahen etj…

Vera mbi të gjitha është poezi. Dhe unë nuk pretendoj që jam një njohës, unë jam një dashurues i verërave dhe prapë do të kthehem tek origjina e kësaj. Unë çdo ditë përdor verën dhe e kam përdorur gjithë jetën, por asnjëherë më shumë se 1 gotë në ditë. Ndonjëherë në shtëpinë time, gostinë e verës e bën Lili, këngën e kam unë.

Ju merrnit pjesë në protestat e studentëve, Argita vajza juaj e madhe ishte në grevën e urisë, Shkëlzeni ishte i vogël në vitet 90. E dinit ankthin e gruas në atë kohë?

Padyshim që pas nënës, Lili është njeriu që i detyrohem më shumë në tokë. Lili u bashkëngjit sapo filloi lëvizja, duke mos më thënë kurrë në jetën e saj se kjo mund të ketë këtë rrezik, apo atë rrezik.

Alesio Vincit (gazetari) kërkon një tjetër premtim ndaj jush, ka udhëtuar nga rruga e kombit, një nga veprat për të cilën ju ndiheni krenarë, e ka mbërritur në vendlindjen tuaj në Viçidol. Në fakt në këtë vend në këtë kullë riktheheni shumë rrallë?

Është dëmtuar sepse në luftën me Kosovën ata e kanë gjuajtur me mortaja 127 mm të cilat i ranë afër. Problemi është dhe unë dua të flas haptas…

Jeni përlotur zoti Berisha dhe unë dua ta vërej sepse rikthimi tek ajo kullë hap shumë histori për ju…?

Sepse Kulla ka patur edhe çifligun e vet. Aty rreth saj kanë qenë 43 hektarë tokë, jo vetëm të familjes sime, por të njerëzve më të afërt të familjes time, e cila punohej në mënyrën më intensive dhe ata kanë qenë njerëz që punonin ditë e natë. Përtej saj, janë 74 ha të cilat punoheshin tërësisht, por ishin sa një vrap kali. A mund ta kthejmë kullën siç ishte? Ndërtesa mund të kthehej, por toka dhe ato të tjerat…

Si do të donit t’ju kujtonin brezat në këtë histori të jetës tuaj publike? 

S’kam bërë asgjë për historinë, jam përpjekur dhe do përpiqem çdo ditë të bëj detyrën time.

Nuk jap dorëheqjen nga politika

Si e vlerësoni opozitën e Bashës? 

Unë e vlerësoj tërësisht pozitive. E supozojmë se unë s’kam dhënë dorëheqjen dhe do të isha në krye të PD-së.Unë ju siguroj se edhe pas 8 vitesh në pushtet, ajo do të ishte një opozitë 3 mujore. Basha dhe bashkëpunëtorët e tij ja kanë dalë që të kristalizojnë një opozitarizëm të ri.

Roli juaj? 

Absolutisht partinë e drejton kryetari i saj i cili është në konsultim me drejtuesit kryesorë dhe të grupit parlamentar. Natyrisht që edhe këshillohemi, por timonin e ka z.Basha. Unë mendoj se është një fillim shumë premtues. Në çështjet kapitale, opozita po konturohet si një opozitë e fuqishme. Tre muaj, janë tre muaj.

Në opozitën tuaj është folur shumë për probleme, po udhëheqës?

Unë besoj se në lidershipin e PD-së ka shumë figura të formuara dhe kryetari në procesin e riorganizimit të partisë natyrisht do të lançojë bashkëpunëtorë të rinj. Analiza nuk është bërë dhe ky është një vonim, e cila do të bëhet. Unë dhashë dorëheqjen dhe jam i bindur se mora vendimin më të drejtë sikurse mbetem po aq i vendosur që të mbroj ato ideale që unë besoj. Ndaj tani jam full- time në mbështetje të parimeve që unë besoj.

Do bëni dhe rolin deputetit duke shkuar në komisionet parlamentare?

Po është e vërtetë nuk kam qenë asnjëherë. Edhe në vitet 97-2005 nuk kam qenë.

Keni bërë më mirë apo më keq që keni dhënë dorëheqjen nga PD?

Jam i bindur se kam marrë vendimin më të mirë për PD-në dhe për vendin. PD duhet të bëjë ripërtëritje të saj në të gjithë strukturat. Duhet që PD të pasurohet me figura të reja, me të rinj në mënyrë që të rrisë besueshmërinë dhe misionin vet të rikthimit në pushtet.

 Si e keni përjetuar këtë periudhë?

Unë mund të them se së pari dorëheqja, ka qenë një vendim i ruajtur nga unë 20 vite. Nuk kam dyshuar kurrë që nëse PD do të humbte në kushte të qarta, do ta jepja. Nuk mund të them që nuk humba zgjedhjet. Nuk kam menduar kurrë në asnjë moment që unë fizikisht do të largohem edhe për një orë të vetme nga politika. Mbetem, me të gjithë pasionin tim që të bëj më të mirin.

Por duke mbetur një lider shpirtëror… 

Ky nuk është preokupim i imi, por kontributi im. Nuk kam punuar ndonjëherë për histori dhe nuk punoj. Kam qenë gjithnjë i vendosur në ato që unë besoj. Pasioni është ç’është e vërteta. Njeriu bën gabime, i korrigjon, i bën. Tani i kam më të thjeshta se nuk jam unë që drejtoj PD-në. Jam në një domain që unë merrem çdo ditë me politikë, por nuk merrem me organizime.

 (shekulli.com.al)