Rrëfehet Halimja: Gani Geci ma vrau burrin pa i bërë asgjë

Ishin bërë gati për të shkuar në dasmën e tezakut ku ishin të ftuar, madje edhe zarfin me dhuratën që kishin vendosur t’ia dërgonin për martesë, e kishin bërë gati. Por, Ruzhdi Shaqiri me familjen e tij, nuk arritën të shkojnë, pasi ai u vra vetëm pak minuta para shkuarjes në restorantin ku do të mbahej dasma.

Lajme

08/08/2014 16:42

Bashkëshortja e Ruzhdiut, Halime Shaqiri dhe djali tij 14 vjeçar, Ilmi Shaqiri, rrëfejnë ekskluzivisht për KosovaPress, se si ndodhi e tërë ngjarja, ku Ruzhdiu mbeti i vrarë nga ish deputeti i LDD-së, Gani Geci.

Halime Shaqiri thotë se ishin nisur për të shkuar në dasmën e tezakut të Ruzhdiut, meqë ishin të ftuar dy muaj përpara.

Madje, ajo thotë se ishin nisur vonë nga shtëpia e tyre në Prishtinë, diku në orën 17:30, derisa në orën 19:00 do duhej të ishin në dasmë në njërin nga restorantet në Skenderaj.

“Na jemi kanë në shtëpi, kemi dal e kemi blerë dhuratën, e kemi përgatitur sa me ia dërguar, jemi nisë prej shtëpie, u vesh në kat tesha, me këmishë, me pantolla, me këpucë, setrën e ka lënë në kerr. Më tha ‘Halime nëse bëhet ftoftë e kam me vete’. Jemi nisë prej shtëpie t’u fol, t’u kesh, t’u ba hajgare qysh po shkojmë në dasmë. Nuk e ka pasur gjendjen e mirë sepse është bërë operacion prej unazave, por veç po shkojmë po rrimë një orë, dy orë veç po shkojmë për respekt. E jemi shku në Skenderaj, me ka lënë të frizerka, me tha si ta krysh veç një zile ma bënë, e unë po dal me fëmijë. Ka vazhduar me fëmijë, ma shumë s’di”, rrëfen ajo.

Pas këtij momenti, Ruzhdi Shaqiri kishte shkuar në njërin nga loket në Skenderaj me fëmijët e tij për të pirë kafe, derisa bashkëshortja e tij të rregullohej tek Salloni i Ondulimit.

Djali i tij, Ilmi Shaqiri rrëfen për KosovaPress se si kanë shkuar në atë lokal dhe si ka ardhur deri të vrasje e babait të tij. Ai thotë ka shkuar me vëllaun e tij të vogël tek lojërat, por kur është kthyer nuk e ka gjetur babanë duke pirë kafe, por kishte gjetur shumë policë që e kishin rrethuar vendin.

“Këna shku edhe këna lyp parking, s’kemi gjetur parking niher, tani u kanë një parking me pare qaty, tani kemi shku e kemi pagu parkingun edhe vëllau i vogël i ka pa do lojëra, tani i tha babit a banë me hyp në lojëra, tani i tha babi veç po shkojnë në një lokal me pi diçka edhe menjëherë shkojmë. Shkuam në një lokal, i pa do shok edhe rrike me ta tani, edhe tani na i dha do pare edhe shkova me dërgu vëllaun të lojërat, kur u ktheva se gjeta aty”, rrëfen Ilmiu 14 vjeçar.

Ilmiu ka vazhduar rrëfimin duke thënë se kur kanë shkuar në lokal nuk e kanë parë të dyshuarin Gani Geci, derisa thotë se nuk ka pasur ndonjë fjalosje meqë nuk ishte aty gjatë momentit sa ka ndodhur ngjarja.

“Konflikt nuk e di, se e kam dërgu vllaun te lojërat me zhurmë që janë edhe unë nuk kam dëgju sen, se veç një lokal na ka ndarë prej babit, se ngat kemi qenë, por s’kemi dëgjuar kurgja…Kur jam kthyer prej lojërave i kam gjet tre policë edhe thash mos janë kalimtar të rastit me pi kafe edhe kur pe shoh u ktheva prapë e pash e kishin rrethu lokalin, pash shumë polici, me dorëza t’u lyp hetime qaty e kuptova”, thotë Ilmiu.

Nga arratia i dyshuari Gani Geci kishte thënë se ka pasur një konflikt me Ruzhdi Shaqirin dhe se ishte frikuar nga ai, dhe për këtë e ka nxjerr revolen dhe e ka vrarë.

Mirëpo, bashkëshortja e Ruzhdiut, Halimja thotë se burri i saj asnjëherë nuk ka pasur konflikt me atë njeri.

“Jo, jo s’ka pasur kurrë asgjë me të…Jo veç për ato gazeta që kanë shkruar që iu ka thanë: Lërmëni rehat se po dua me kanë rahat me familje, mos më qit fjalë në gazeta. Kaq, tjetër problem me të s’ka pasur, veç i ka tha lemë rehat se s’po dua me pas probleme me shkrua nëpër gazeta gjithçka, dua me kanë i qetë se kurrë askujt asgjë nuk i kam bërë”, rrëfen Halimja.

Ajo thotë se rreth një javë para vrasjes, saktësisht ditën e dytë të festës së Fitër Bajramit, Gani Geci i kishte shkuar të banesa në Prishtinë, Ruzhdi Shaqirit, me pesë vetura, të armatosur për t’u sqaruar me të.

Por, nga ajo çka rrëfen bashkëshortja e Ruzhjdiut, Halimja, burri i saj nuk i kishte kërcënuar, por vetëm u kishte thënë që mos ta qesin në gazeta si njëri vrasës sepse nuk ishte i tillë.

Madje, Halimja thotë se burri i saj Ruzhdiu kishte dalë tek ‘Hotel Garden’ me pizhame dhe ishte takuar me Gecin dhe njerëzit e tij.

Halime Shaqiri thotë se ka pak besim në drejtësinë kosovare për t’ia dhënë dënimin e merituar vrasësit të burrit të saj.

Por, djali i Ruzhdiut, Ilmi Shaiqir, ndonëse ende në moshë të re, thotë se kurrë nuk do ta fal gjakun e babait të tij.

“Jo kurrë…kurrë…Vallahin hiq s’po besoj, sa lyp ai me dënuar këta s’kanë me dënuar..se me pas pasur drejtësi e shtet ai s’kish bë kështu, me vra njeriun në sy të fëmijëve. Ai ka mundur edhe fëmijët, por do Zoti që kanë shkuar fëmijët të lojërat se edhe fëmijët ka mujt me mi vra, por ma mirë me mi pas vra fëmijët e mi se me qellu fëmija e mijë qaty e me pa duke ia vra babën, a ka logjikë kjo punë… Unë nuk di ma çka them…, shteti le të bëjë çka të dojë me të”, rrëfejnë me tutje nënë e bir.

Ruzhdi Shaqiri u vra të hënën mbrëma në Skenderaj nga Gani Geci i cili e ka pranuar vrasjen dhe tani gjendet në arrati duke mos iu dorëzuar Policisë. /KP/