Rooney paguhet për të luajtur keq

Ish futbollisti i Manchester Unitedit, Paul Parker kritikon nivelin e paraqitjeve të Wayne Rooneyt dhe thotë se sulmuesi nuk e meriton të jetë titullar para dyshes Robin van Persie – Radamel Falcao.

Sport

03/09/2014 11:41

Ish mbrojtësi i Manchester Unitedit, Paul Parker mendon se Wayne Rooney nuk e meriton të jetë titullar dhe theksoi se paraqitjet e tij kanë qenë të dobëta deri më tani gjatë këtij sezoni.

Ylli anglez ka realizuar vetëm një gol për Unitedin derisa Red Devils ende nuk e kanë fituar asnjë ndeshje zyrtare duke barazuar dy herë në Premierligë dhe u eliminuan në League Cup nga MK Dons.

Rooney – i emëruar kapiten i Unitedit nga Louis van Gaal – tani do të garojë me përforcimin e ri Radamel Falcao, i cili erdhi nga Monaco në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, dhe Parker thotë se anglezi nuk e meriton të luajë në formacionin bazë.

“Wayne Rooney ka qenë shumë i dobët. Në Burnley e pash një futbollist i interesuar vetëm për veten, duke mos bërë asgjë për të ngritur lojën e ti ose inspirojë bashkëlojtarët”, shkroi Parker për “Yahoo Sport blog”.

“E vetmja gjë që mund të konsiderohet si e jashtëzakonshme rreth paraqitjes së tij është se ai përfiton 375 mijë euro në javë për të luajtur aq keq. Me Van Persien në formë të mirë fizike, Rooney duhet të lihet në bankinë në sulmin e Unitedit, për mua Van Persie dhe Falcao duhet të jenë gjithmonë titullarë”, u shpreh ai.