Rooney frikëson Man Utd-in

Wayne Rooney ndërpreu para kohës seancën stërvitore të enjten, duke u dërguar për teste mjekësore. Sulmuesi i Manchester Unitedit thuhet se vuan nga dhimbja në stomak, mirëpo problemi mund të jetë më serioz.

Sport

02/05/2014 11:19

Wayne Rooney ishte në qendër të një lëndimi misterioz të enjten mbrëma pasi u largua nga qendra stërvitore e Manchester Unitedit, duke shkuar menjëherë për t’ju nënshtruar testeve mjekësore.

Burime të afërta me futbollistin i kanë thënë tabloidit britanik Daily Mail  se Rooney është duke vuajtur nga një dhimbje në stomak, mirëpo problemi duket të jetë më serioz dhe United do të analizojë gjendjen e 28-vjeçarit të premten para se të vendos nëse ai do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Sunderlandit në Old Trafford në fundjavë.

Me vetëm tri ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, menaxheri Ryan Giggs vështirë se do të rrezikojë Rooneyn nëse ai nuk është i gatshëm për lojë.

Sulmuesi anglez po ashtu do të jetë i kujdesshëm që të jetë në formën më të mirë fizike për Kampionatin botëror në Brazil pasi hyri në dy garat e shkuara me probleme me lëndime.