Ronaldo, rekordmen dhe kampion

Cristiano Ronaldo triumfoi në Ligën e Kampionëve me Real Madridin. Por, përveç titullit, ylli portugez hyri në histori me rekord 17 gola brenda një edicioni të garës kryesore kontinentale për klube.

Sport

25/05/2014 01:41

Cristiano Ronaldo fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin. Ylli portugez shënoi gol nga penalltia që vulosi rezultatin përfundimtar 4:1 ndaj Atletico Madridit në finalen e madhe të Lisbonës.

Por, përveç titullit të kampionit, Ronaldo përforcoi statusin e tij në histori të garës elite kontinentale për klube.

Ronaldo me golin e tij që realizoi ndaj Atletico Madridit e mbylli edicionin e sivjetmë të Ligës së Kampionëve me rekord 17 gola.

Të gjitha këto shënime ai i bëri brenda vetëm 11 ndeshjesh. Ronaldo po ashtu shtoi katër asistime për bashkëlojtarët e tij. Të gjitha këto statistika të denja të një futbollisti të shpallur më i miri në botë për vitin 2013.

Në finalen me Atleticon nuk luajti në nivelin e tij më të mirë, por prapë shënoi gol dhe ndihmoi skuadrën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ronaldo, kampion i padiskutueshëm.