Ronaldo nuk garanton sukses

Paulo Bento insiston se fakti se Portugalia e ka në ekip një lojtar të kalibrit të Cristiano Ronaldos nuk nënkupton se e ka të garantuar suksesin. Sidoqoftë, selektori i Portugalisë pret që CR7 ta ndihmojë ekipin e tij.

Sport

16/06/2014 11:18

Trajneri i Portugalisë, Paulo Bento thotë se prezenca e Cristiano Ronaldos nuk është garantues për suksesin në Botëror, para duelit të sontëm ndaj Gjermanisë në Grupin G.

Ylli i Real Madridit e fitoi çmimin prestigjioz Topi i Artë në fillim të këtij viti dhe e shijoi një sezon fantastik në Ligën e Kampionëve, por lëndimet në gju dhe në muskuj e vënë në dyshim prezencën e tij në këtë eveniment dhe në duelin ndaj ekipit të Joachim Loë.

“Mendoj se, duke e pasur një lojtar si Cris, është mjaft e rëndësishme, sepse ai ndikon në lojën tonë. Ai e di këtë dhe më e rëndësishmja është se këtë e dinë edhe bashkëlojtarët”, deklaroi trajneri portugez në konferencë për shtyp.

“Mirëpo, vetëm pse e kemi lojtarin më të mirë në botë nuk nënkupton se ne do të bëhemi kampionë të botës. E di se disa njerëz në vendin tim nuk do ta pëlqejnë atë që po e them, por është e vërtet”, vazhdoi ai.

“Ne e kemi një ekip të mirë, i cili ka marrë pjesë në turne të mëdhenj dhe ka pasur rezultate të mira. Do të mundohemi ta kemi një Botëror të mirë, por objektiv primar është ta kalojmë fazën e grupeve”, përfundoi Bento.